BLOG, 19 Janar 2023, 13:44

Berisha, kryetari dhe pronari i vetëm legjitim i PD-së!

Berisha, kryetari dhe pronari i vetëm legjitim i PD-së!
Fotomontazh: Sali Berisha dhe Denis Dyrnjaja

Në 3 dekada kundërshtarë brenda partisë, media, faktori ndërkombëtar, pra të gjithë bashkë në të njëjtën kohë apo në kohë të ndryshme kanë dashur ta zhbëjnë faktin se PD është e Berishës. Është mënyra e tij sesi u gjet në atë parti që në orët e para të themelimit, si arriti të penetrojë, marrë e mbajë kontrollin e saj për 30 e kusur vite me radhë. Madje edhe kur u mendua se ia la Lulzim Bashës çelësat e zyrës së kryetarit, sërish ai ishte certifikuesi i çdo vendimi të marrë, të paktën i atyre vendimeve madhore për PD.

Berisha e bëri PD që prej themelimit të saj ndër vite 3 herë me shtëpi të re. Nga rruga e Kavajës ku nisi rrugëtimin me zhvendosjen për shumë vite në qendër të Tiranës për të marrë së fundi edhe godinën e ish Shtëpisë së Oficerëve e njohur si SHQUP-i. Pra në një kuptim kontributet e tij janë kolosale në atë parti që e shndërroi në familje dhe shtëpi, pavarësisht se shumë kush e di se kjo ndodhi kryesisht për interesat personale të tij. Me të ka qeverisur vendin, ka bërë pasuri, iu ka dhënë edhe të tjerëve pushtet e mundësi, mbështetësve por edhe kundërshtarëve të tij në parti. Tani çfarë kuptimi ka që kërkojnë ta nxjerrin jashtë loje kur ai i bëri me emër, pushtet e katandi edhe njerëz pa asnjë kontribut në atë parti. Nga ana tjetër përse të vazhdojë një luftë pa fund nga një grup njerëzish që nuk janë realisht as rivalë seriozë për të drejtuar PD dhe opozitën.

Debati për zyrat, vulën e logon e PD-së është debati më shterpë poktik, analizat për këtë situatë gjithashtu. Shterpë dhe i pakuptimtë është edhe kalvari juridik ku po kalon statusi i saj juridik. Gjykata më kot zvarrit këtë histori e bëhet protagoniste në një proces politik ku anëtarët dhe simpatizantët demokratë kanë zgjedhur edhe liderin edhe fatin e tyre. Ai lidhet përgjithnjë me Sali Berishën. Berisha duhet lënë të kryejë të gjithë ciklin natyror politik. Se këto qe i kërkohen sot për demokracinë apo mënyrën sesi duhej ta drejtonte partinë duheshin bërë që në krye të herës 30, 20 apo 10 vite më parë. Të bëheshin zgjedhje e rrotacion elitash, të paktën në 33 vjet PD duhej të kishte patur minimalist nja 5 kryetarë reale partie të zgjedhur me gara, por kjo nuk ndodhi. Me dashje ose jo, me intriga e imponim ose jo Berisha u gdhend si kryetar i kësaj force politike dhe tani është e kotë të kërkosh qiqra në hell - thotë një shprehje e hershme popullore. Berishës dhe mbështetësve të tij duhet t'iu jepet edhe juridikisht partia e këta pretenduesit pa vota që i bëri po Berisha qe nga askush të jenë dikush të zgjedhin ose të vazhdojnë të ndajnë fatin e tyre me atë të Berishës, ose të provojnë veten politikisht me një alternativë të re. Berishës i duhen dhënë pa asnjë mëdyshje edhe ligjore nga gjykata të gjitha tagrat që pretendon e të shkojë në zgjedhje për t'u përballur me socialistët e rilindasit e Edi Ramës. Po i mundi bravo, po u mund për turpin e tij i qoftë. Kjo zvarritja dhe pengmbajtja e Bashës në prapaskenë dhe Alibeajt në skenë me e vendime gjyqësore sa i jep alibi Berishës se edhe nëse humbet zgjedhjet të thotë se u minua nga marionetat e Ramës. Nëse ata tërhiqen Berisha do ta ketë fushën e betejës të lirë për nderin ose turpin e tij. Kjo mundësi i duhet dhënë sepse përsa dihet e thuhet edhe i takon.