BALLKAN, 3 Dhjetor 2023, 17:41

Vrasja e Liridona Ademajt, reagon Kurti: Autorët të marrin dënimin maksimal

Vrasja e Liridona Ademajt, reagon Kurti: Autorët të marrin

Pak ditë pas vrasjes makabër të 30-vjeçares Liridona Ademajt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje që autorët e kësaj ngjarje të tmerrshme të marrin dënimin maksimal.

Gjykata Themelore në Prishtinë të dielën ka shqiptuar masën e paraburgimit ndaj Naim Murselit, Genc Plavës dhe Kushtrim Kokallës.

Murseli dyshohet se kishte porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, ndërsa Plava akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. E Kokalla akuzohet për “marrëveshje për kryerje të vrasjes së rnëdë”.

“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua. Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë. Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.

Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se për t’i parandaluar krimet e tilla makabre, duhte bashkëpunuar së bashku në çdo fushë.

“Dhimbja është e madhe. Ndërgjegjja është kolektive, në secilën familje, shtëpi. Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend. Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu.

E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, ka shkruar Kurti.