BALLKAN, 21 Shtator 2022, 16:29

Trondit Albin Kurti: Ndaj meje u planifikuan tre atentate!

Trondit Albin Kurti: Ndaj meje u planifikuan tre atentate!

Albin Kurti flet për herë të parë për publikimin e informatave se ishte përgatitur atentat ndaj tij.

Kryeministri i Kosovës zbuloi se vitin e kaluar ishte në dijeni të planeve për tri atentate kundër tij. Kurti shtoi se nuk e di sa i sigurt është, por që ndihet i sigurt.

“Sa jam i sigurt nuk e di, por unë mundem t’iu konfirmoj se ndihem i sigurt. Ndërkaq sa jam i sigurt e vendosin organet e sigurisë që i marrin masat adekuate. Është e vërtet që unë kam qenë në dijeni të planit për ato tri atentatet, por e keni pa edhe nga informacioni që ka dal, se qëllimi ishte frikësimi i popullsisë, destabilizimi i vendit”.

Albin Kurti thotë se nuk ka dashur të flasë. Ai shpjegoi se kjo nuk i ndihmonte organeve të sigurisë për të kryer hetimet.

Kurti këto komente i bëri pasi morri pjesë në samitin dixhital që po mbahet në Prishtinë. Aty, kryeministri tha se sulmet kibernetike po rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe se me këtë po ballafaqohet edhe rajoni.

Kurti në konferencën për media u pyet edhe për një “kornizë te re të dialogut” me Serbinë. Detaj i pakonfirmuar, por i publikuar në media.

Sipas tij, vetëm dokumentet që prodhohen në Bruksel për dialogun Kosovë-Serbi duhet të merren si zyrtare duke hedhur edhe njëherë poshtë ekzistimin e këtij dokumenti.

Kurti ka shtuar se për këtë arsye kanë vlerësuar që publikimi i atij plani nuk ndihmon organet e sigurisë, por i ndihmon vetëm planifikuesit e atentateve, prandaj kanë vendosur se më mirë është të mos publikohet plani i atentateve.