BALLKAN, 12 Shtator 2025, 20:31

SHBA pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, reagon Vjosa Osmani: Keqardhje dhe shqetësim i thellë

SHBA pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, reagon Vjosa Osmani:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur keqardhje dhe ka thënë se është e shqetësuar thellë për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën.

Në një deklaratë, Osmani ka thënë se Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar. Drejt këtij qëllimi, angazhimi i Presidentes ka qenë dhe mbetet i palëkundur dhe i vazhdueshëm, siç është konfirmuar vazhdimisht nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në letrën e fundit të Presidentit Trump drejtuar Presidentes Osmani të gushtit 2025. Prandaj, Presidentja shprehë keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe ShBA-ve”, thuhet në deklaratën e saj.

Osmani ka thënë se çështja e aleancës me SHBA-në është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë.

“Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-së dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot. Presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka vazhduar ajo.