BALLKAN, 31 Gusht 2025, 20:05

Protestat në Serbi, 34 studentë futen në “rrethin e kuq” nga dekani që mbështet presidentin Vuçiç

Protestat në Serbi, 34 studentë futen në “rrethin e

Një tjetër veprim i ashpër nga autoritetet serbe ka shkaktuar zemërim në qytetin e Novi Sadit, ku studentët e Fakultetit të Filozofisë denoncojnë presion dhe kërcënime nga dekani i tyre, Milivoj Alanović. Sipas tyre, dekani, i mbështetur nga pushteti i Beogradit, ka nisur masa ndëshkuese ndaj atyre që kanë protestuar kundër ndikimit politik në universitet.

Në një email zyrtar, Alanović u ka dërguar autoriteteve një listë me 34 studentë të cilësuar si “të papërshtatshëm”, duke paralajmëruar nisjen e procedurave disiplinore ndaj tyre. Studentët e quajnë këtë akt një shembull klasik të represionit politik ndaj zërit të lirë të rinisë.

Situata ka nisur të përshkallëzohet që prej 26 gushtit, kur dekani, i shoqëruar nga punonjës të sigurisë dhe forca policore, ndërhyri me dhunë për të thyer protestën e studentëve që kishin bllokuar hyrjen e fakultetit. Prej atëherë, dhjetëra forca policie janë vendosur brenda dhe jashtë godinës universitare, duke e kthyer institucionin e arsimit të lartë në një pikë të rrethuar sigurie.

Protestat janë shoqëruar me përplasje të forta. Ditën e parë u raportuan arrestime dhe dhunë ndaj studentëve, ndërsa në ditët pasuese, policia ka përdorur gaz lotsjellës, mjete tronditëse dhe bomba shokuese për të shpërndarë protestuesit.

Pamjet që vijnë nga Novi Sadi tregojnë një situatë shqetësuese – studentët kërkojnë të drejtat e tyre, ndërsa përballen me përgjigje të dhunshme nga autoritetet. Aktivistë dhe qytetarë i frikësohen rikthimit të kontrollit total mbi institucionet akademike, ndërkohë që zërat kritikë ndaj qeverisë së Aleksandar Vuçiçit po shtohen.

Qeveria serbe është kritikuar vazhdimisht për kontroll të tepruar mbi institucionet, shtypje të opozitës dhe cenim të të drejtave të njeriut. Rasti i Novi Sadit po shihet nga analistët si një tjetër dëshmi e tendencave autoritare që po thellohen në vend.