TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Partia Demokratike e Kosovës ka miratuar sot listën përfundimtare të kandidatëve për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Në një mbledhje të mbajtur nga Kryesia e PDK-së, përveç diskutimit mbi zhvillimet politike dhe institucionale në vend, u përmbyll edhe procesi i përzgjedhjes së kandidatëve që do të garojnë në 31 komuna.
PDK ka theksuar se pas përfundimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, vendi ndodhet në një krizë të thellë kushtetuese dhe institucionale, duke shtuar se po shkon drejt një terreni të panjohur ligjor dhe politik.
Partia njoftoi se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e dërguar nga deputetët e saj, në mënyrë që të qartësohet rruga për formimin e institucioneve të reja dhe legjitime.
Sa i përket zgjedhjeve lokale, PDK ka hyrë në këtë garë me qëllim të rifitimit të komunave ku tashmë qeveris, por edhe me synimin për të fituar në komuna të tjera ku, siç u theksua, qytetarët kërkojnë ndryshim dhe vizion të ri.
Kryesia e partisë ka miratuar kandidaturat për 31 komuna, ndërsa në katër prej tyre – Mitrovicë, Drenas, Skenderaj dhe Kaçanik – janë ndryshuar kryetarët aktualë.
Kryetarët në largim Bedri Hamza, Ramiz Lladrovci, Fadil Nura dhe Besim Ilazi nuk janë kandidatë për mandatin e ardhshëm, por PDK u shpreh mirënjohëse për kontributin e tyre gjatë qeverisjes.
Kandidatët e miratuar për 31 komunat janë:
1. Prishtinë – Uran Ismaili
2. Ferizaj – Agim Aliu
3. Prizren – Shaqir Totaj
4. Mitrovicë – Arian Tahiri
5. Vushtrri – Ferit Idrizi
6. Skenderaj – Sami Lushtaku
7. Drenas – Petrit Hajdari
8. Kaçanik – Sabedin Vishi
9. Hani i Elezit – Mehmet Ballazhi
10. Gjilan – Riad Rashiti
11. Pejë – Arta Nallbani
12. Gjakovë – Ervin Shabani
13. Klinë – Sokol Bashota
14. Lipjan – Shukri Buja
15. Shtime – Përparim Ramusa
16. Dragash – Shaban Shabani
17. Malishevë – Gëzim Krasniqi
18. Rahovec – Edon Cana
19. Suharekë – Dardan Berisha
20. Podujevë – Isak Shabani
21. Fushë Kosovë – Rrahim Tërrnava
22. Kamenicë – Jona Arifi
23. Viti – Bekim Azizi
24. Istog – Ali Nimanaj
25. Deçan – Korab Mushkolaj
26. Zubin Potok – Izmir Zeqiri
27. Zveçan – Ilir Peci
28. Mitrovicë e Veriut – Flutura Hamza
29. Leposaviq – Shaqir Hetemi
30. Shtërpcë – Garip Sahiti
31. Novobërdë – Selatin Nuhiu
PDK do të garojë gjithashtu në katër komuna të tjera – Obiliq, Junik, Kllokot dhe Mamushë – vetëm me listë për asamblistë.
Në Graçanicë, PDK do të jetë pjesë e një liste të përbashkët me të gjitha partitë tjera shqiptare.
Me këtë listë, PDK e përmbyll fazën e kandidimit dhe hyn në fushatë me synimin për të reflektuar vizionin e saj për një qeverisje efikase, transparente dhe në shërbim të qytetarëve në çdo komunë të Kosovës.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se kjo parti është e gatshme për fitore në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke publikuar listën përfundimtare të kandidatëve për kryetarë komunash.
Përmes një postimi, Krasniqi tha se PDK po garon në 36 nga 38 komunat e Kosovës, me një listë që, sipas tij, përfaqëson vizionin, guximin dhe qeverisjen në shërbim të qytetarëve.
“Ne do të fitojmë sërish në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit. Sepse katër vitet e fundit, në komunat ku kemi udhëhequr, kemi dëshmuar se qeverisja mund të bëhet ndryshe: me vizion të qartë, me punë të ndershme dhe me rezultate konkrete,” ka thënë Krasniqi.
Ai ka falënderuar katër kryetarët aktualë të komunave që nuk do të rikandidojnë këtë vit, duke veçuar:
Bedri Hamzën (Mitrovicë),
Ramiz Lladrovcin (Drenas),
Fadil Nurën (Skenderaj),
dhe Besim Ilazin (Kaçanik).
Krasniqi u shpreh mirënjohës për kontributin e tyre në qeverisje, duke theksuar se ata kanë përfaqësuar me nder vlerat e PDK-së.
“Nuk premtojmë mrekulli. Premtojmë punë. Nuk garojmë për pushtet, por për besim, besimin se qeverisja mund të bëhet me ndershmëri, me dinjitet, me dije dhe me dashuri për çdo qytetar,” shkroi Krasniqi.
Ai shtoi se kandidatura e PDK-së mbështetet në individë me përvojë, integritet dhe përkushtim, dhe se në komunat ku nuk do të kenë kandidatë për kryetarë, partia do të përfaqësohet me lista të denja për këshilltarë komunalë.
“Më 12 tetor, ne nuk kërkojmë vetëm votën tuaj – kërkojmë bashkëudhëtimin tuaj për zhvillimin e secilës komunë dhe mirëqenien e secilit prej jush.”
Pas vendimit të Partisë Demokratike të Kosovës për të mos e rikandiduar në garën për kryetar të komunës së Drenasit, ka reaguar Ramiz Lladrovci.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lladrovci u shpreh i vendosur se karriera e tij politike nuk është në përfundim dhe se fjalën përfundimtare do ta kenë qytetarët.
"Deri sot nuk jam rrëzuar, kush më njeh me mbi katër dekada këtë e di. Respekt për votat pro dhe kundër në seli të PDK-së, po ashtu, faleminderit atyre që nuk morën pjesë në votim. Ky është fillimi i fundit politik për bedelët dhe përkrahësit e tyre,” shkroi ai.
Ai shtoi se mbështetja e qytetarëve të Drenasit mbetet vendimtare.
“Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit, bashkë, vazhdojmë, +4!”
Reagimi i tij vjen pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u miratua lista përfundimtare e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, listë në të cilën Lladrovci nuk është përfshirë.