BALLKAN, 3 Shtator 2022, 21:59

Përdhunimi i 11-vjeçares në Kosovë/ Gjykata e Prishtinës lë nga një muaj në paraburgim gjashtë të arrestuarit e dyshuar

Përdhunimi i 11-vjeçares në Kosovë/ Gjykata e

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit prej 6 të pandehurve D.RR, G.S, B.S, F.S, M.S dhe M.R, për shkak se dyshohen se kanë kryer vepra penale të trafikimit dhe dhunimit.

Sipas njoftimit, i akuzuari D.RR. dyshohet për veprën penale Dhunimi dhe Trafikimi me njerëz. Të pandehurit G.S dhe B.S akuzohen për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, ndërsa i pandehuri F.S për veprën penale “Dhunimi” dhe “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”. Po ashtu, i pandehuri M.S dyshohet për veprën penale “Dhunimi” si dhe i pandehuri M.R për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër gjashtë të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar dhe të dyshuarve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin veç e veç”, thuhet në komunikatën për media.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale ku dyshohet se janë kryer ndaj viktimës, e cila është e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i ikjes së tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ekziston rreziku që të dyshuarit do të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo edhe të falsifikojnë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuarën dhe në dëshmitarë, andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë që do të parandalojë të arrestuarit në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.