BALLKAN, 7 Gusht 2022, 19:00

Albin Kurti takon Dua Lipën: Kontributi i saj për Kosovën është i pamatshëm

Albin Kurti takon Dua Lipën: Kontributi i saj për Kosovën

Prej datës 3 gusht Dua Lipa ndodhet në Prishtinë, ku po mbahet festivali i organizuar prej saj dhe të atit Dukagjinit.

Teksa ylli botëror u ngjit në skenë vet për të performuar në 4 gusht, këto ditë kanë qenë shumë të ngarkuara dhe të ngjeshura me takime për Duan. Ditën e sotme ajo ka takuar edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti

Në takim ishte edhe Dukagjini teksa ka qenë kreu i qeverisë që ka ndarë fotot me ndjekësit në rrjetet sociale. 

Kurti shkruan se falë “Sunny Hill” Kosova po shënon një nga vitet më të suksesshme kulturore. Ai thotë se Duan e ka falenderuar për përfaqësimin e bukur e dinjitoz dhe promovimin e vlerave të Kosovës kudo në botë.

“U mbajt në Prishtinë, aty ku e ka vendin. Kosova shkëlqen ndryshe me Sunny Hill dhe vajzën tonë të artë, Dua Lipa, të cilën sot e prita në Kryeministri. Vendi ynë po shënon një nga vitet më të suksesshme kulturore në historinë e tij. Duan e falënderova për përfaqësimin e bukur e dinjitoz dhe promovimin e vlerave të Kosovës kudo në botë. Zëri, muzika e kënga e saj, na kanë bërë shumë më të njohur dhe mirënjohur anembanë. Kontributi që ajo jep për Kosovën është i pamatshëm.

Festivali “Sunny Hill” i shton shije jetës së pasur kulturore të shtetit tonë. Pas katër ditë performancë muzikore me emra të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë, është momenti t’u themi faleminderit Duas dhe gjithë ekipit për punën dhe promovimin që i bënë Kosovës. Sunny Hill është edhe dobi për ekonominë lokale, ndërsa sivjet edhe mbështetje ndaj angazhimeve shtetërore për liberalizimin e merituar të vizave për qytetarët e Kosovës.” – shkruan Kurti.