AKTUALITET, 14 Maj 2025, 13:09

Vëllai i kryebashkiakut/ Apeli la në fuqi sekuestron e celularit, Gjykata e Lartë prish vendimin për Arbër Veliajn! E kthejnë për rigjykim

Vëllai i kryebashkiakut/ Apeli la në fuqi sekuestron e celularit,

Gjykata e Lartë vendosi të pranojë rekursin e Arbër Veliaj dhe ta kthejë dosjen për rigjykim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm tek i njëjti trup gjykues.

Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit të Posaçëm për Arber Veliajn, i cili kundërshtoi sekuestrimin e materialeve nga ana e BKH si dhe të kontrolleve të ushtruara nga agjentët në banesën e tij dhjetorin e 2024.

Vendimi u dha nga treshja e gjyqtarëve Albana Boksi, Medi Bici dhe Sokol Binaj të cilët pas seancës të zhvilluar në dhomë këshillimi, vendosën të rikthejnë çështjen në Apel për rigjykim, tek i njëjti trupë gjykues.

“Prishjen e vendimit nr. 51 (87-2025-67), datë 28.02.2025, të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë, tek i njëjti trup gjykues”, njoftoi Gjykata e Lartë.

Pasi shkalla e tretë e gjyqësorit të zbardhë vendimin, në Apelin e Posaçëm gjyqtari Engert Pëllumbi, do të marrë edhe njëherë në shqyrtim ankimin e Arbër Veliajt, i cili kundërshtoi vendimin e GJKKO për sekuestrimin e materialeve në banesën dhe zyrën e tij si dhe për kontrollet e ushtruara në këto dy ambiente në kohën kur ai ndodhej jashtë vendit.

Në dhjetor të vitit të kaluar, agjentët e BKH me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO, mësynë në banesën dhe zyrën e Arbër Veliajt në kuadër të hetimeve që Prokuroria e Posaçme po kryente për vëllain e tij Erion Veliaj.

Arbër Veliaj është vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili mbahet në paraburgim nën dyshimet për korrupsion e pastrim parash dhe kundërshtonte kontrollet e SPAK që u kryen në dhjetor të 2024 në shtëpitë e tij dhe në ambientet e bizneseve.