AKTUALITET, 27 Nëntor 2022, 08:28

Sot mbahet mbledhja e dy kuvendeve Shqipëri-Kosovë, politikanët propozojnë: Të krijohet Konfederata e Shteteve Shqiptare

Sot mbahet mbledhja e dy kuvendeve Shqipëri-Kosovë, politikanët

Sot në Kuvendin e Shqipërisë do të mbahet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë. Kjo mbledhje do të mbahet në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Mbledhja pritet të nisë në orën 10:00.

“Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë, të dielën, më 27 nëntor 2022, në orën 10:00, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë në Tiranë, do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Tashmë është publikuar edhe agjenda e kësaj mbledhje.

Në këtë mbledhje, deputetëve do t’u adresohen kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

Mbledhja do të vijojë me fjalimin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe fjalimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Nga një fjalë përshëndetëse do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Në shënim të këtij përvjetori, do të mbahen edhe aktivitete të tjera kulturore. Mbrëmë është mbajtur një koncert, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

Sot mbahet mbledhja e dy kuvendeve Shqipëri-Kosovë, politikanët
Agjenda e mbledhjes

Propozimet nga Kosova

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se seanca e parë e përbashkët e dy kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës për Ditën e Flamurit do të duhej të konkretizohej me krijimin e një Asambleje Parlamentare të përbashkët. Sipas tij, krijimi i kësaj asambleje do të ishte një hap drejt krijimit të mekanizmave të përbashkët integrues.

“Seanca e parë e përbashkët e dy kuvendeve tona për Ditën e Flamurit do të duhej të konkretizohej me krijimin e një Asambleje Parlamentare të përbashkët si një hap drejt krijimit të mekanizmave të përbashkët integrues”, ka shkruar ai në Facebook.

Murati është shprehur se vetëm krijimi i këtyre mekanizmave të përbashkët integrimin e bën realitet, në shërbim të qytetarëve dhe bashkimin e ardhshëm më të lehtë e më të natyrshëm. 

Një propozim lidhur me këtë seancë e ka bërë edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu. Ai ka kërkuar që nesër në mbledhjen e përbashkët të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës të votohet për bashkimin e të dyja vendeve në Konfederatën e Shtetit Shqiptar.

“Pasi që Kosova ka shënuar 14 vite shtet sovran dhe i pavarur, është koha që në këtë 110 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, NE të zgjedhurit e popullit të Kosovës dhe Shqipërisë te votojmë për bashkim në Konfederatën e Shteteve Shqiptare, të Shqipërisë dhe Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.