AKTUALITET, 28 Nëntor 2022, 08:40

Shqipëria feston sot 110 vjetorin e pavarësisë!

Shqipëria feston sot 110 vjetorin e pavarësisë!

Shqipëria feston sot 110 vjetorin e krijimit të shtetit.

Kjo ditë lidhet ngushtësisht me Ismail Bej Qemalin, i cili më 28 nëntor të vitit 1912 ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet të pavarur dhe sovran.

Kjo është një nga ditët më të rëndësishme për mbarë shqiptarët kudo në botë dhe në trojet shqipfolëse. Me rastin e festës së flamurit ashtu si dhe në vitet e tjera do të ketë një sërë aktivitetesh ku sigurisht epiqendra e tyre do të jetë Vlora. Shqiptarët jashtë kufijve nuk do të mbeten pa festuar.

në Nju Jork komuniteti shqiptar do të ngrejë flamuri Kuq e Zi në Bergen County.

Festimet do të shtrihen edhe në Kosovë, ku kryeministri Albin Kurti do të mbajë homazhe në bustin e heroit Gjergj Kastriot Skëndërbeut dhe atë të Adem Jasharit. Ndërkohë, Presidenti Bajram Begaj, mban pritjen shtetërore të rastit.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë organizojnë javën festive, me evente që do të shtrihen në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe do të kulmojnë me koncertin madhështor “110 vjet Forca të Armatosura-Së bashku për Paqen”, në datën 3 dhjetor 2022.

Pak histori

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike:

Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.

Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.

Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.