AKTUALITET, 1 Qershor 2022, 15:08

Qeveria humb një tjetër gjyq në Strasburg. Ja shuma që duhet të paguajë

Qeveria humb një tjetër gjyq në Strasburg. Ja shuma që duhet

Qeveria shqiptare ka humbur një tjetër gjyq në Strasburg, në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kundër Fotaq Zaharia, ose i njohur ndryshe edhe si “i forti i Vlorës”.

Kështu, këtë të mërkurë, 1 Qershor, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për të ekzekutuar verdiktin e gjykatës, për t’i akorduar Fotaq Zaharisë shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

“Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.45022/16, përfundimtar, në datën 9.12.2021, në shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme”, thuhet në VKM.

Pagimi i shumës, do të bëhet nga buxheti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

V E N D I M
PËR

EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 9.12.2021, PËR ÇËSHTJEN “FOTAQ ZAHARIA KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESA NR.45022/16)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.45022/16, përfundimtar, në datën 9.12.2021, në shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohen shumat, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Vlera e përcaktuar si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Fotaq Zaharia, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021.

4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Fotaq Zaharia, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita, kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.

5. Në rast mospagimi brenda afatit tremujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.

6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.

7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ