AKTUALITET, 20 Tetor 2023, 09:01

Prokuroria e Elbasanit shpall moskompetencë për grupin e Laert Haxhiut, dosja me 18 krime i kalon SPAK-ut

Prokuroria e Elbasanit shpall moskompetencë për grupin e Laert
Artan Tafani dhe Laert Haxhiu

Prokuroria e Elbasanit ka shpallur moskompetencë për dosjen e grupit të Laret Haxhiut. Me argumentin se banda e Laert Haxhiut, bashkë me të në krye, janë grup i strukturuar kriminal, Prokuroria e Elbasanit ia kalon dosjen SPAK. Sipas ligjit aktual, kompetencën për hetimin e grupeve të strukturuara kriminale e ka Prokuroria e Posaçme. 

Rreth 18 krime të kryera nga banda e Laert Haxhiut në qytete të ndryshme të vendit, si edhe në Greqi, u zbardhën pasi rrëfimeve të të penduarit Artan Tafani, i cili edhe vetë ishte pjesë e grupit të Haxhiut. Banda me 12 anëtarë janë në akuzë për 18 krime, ku mes tyre përfshihen 6 vrasje si edhe 5 atentate. Ndërkohë, 4 pjesëtarë janë ende në kërkim, ndërsa vetë Laert Haxhiu ndodhet i burgosur në Greqi, ku Apeli dy ditë më parë i hapi rrugë ekstradimit të tij drejt Tiranës.

Artan Tafani dha detaje të vrasjeve që kishin mbetur të pazbardhura nga autoritetet, por ajo që tronditi më shumë ishte planifikimi i Haxhiut për të vrarë persona të drejtësisë. Në mesin e tyre ishte prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe ajo e Lushnjës, Merita Selimi, për të cilat me urgjencë të madhe u mor vendimi për mbrojtjen e tyre. Në muajin korrik Haxhiut iu provua edhe autorësia e një tjetër vrasje, ajo e Besnik Hidës, i afërm i Zamir Latifit, njërit prej viktimave të masakrës së Lushnjës në 2017-ën. Për këtë të fundit Haxhiu po gjykohet në Gjykatën e Posaçme, ndërsa me burgim të përjetshëm janë dënuar më herët bashkëpunëtorët Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.

Akuzat për anëtarët e bandës së Laert Haxhiut

-Artan (Marjus) Tafani akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (3 herë, në dëm të viktimave Çajup Selimi, Fridman Xhaferaj dhe Alban Semaku), “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Albi Bashaliu), “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Kujtim Meta), “Shkatërrim i pronës me eksploziv” e kryer në bashkëpunim (4 herë, me të dëmtuar shtetasit Erion Çoku, Bashkim Rajku, dhe Bujar Turku [2 herë] ), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” e kryer në bashkëpunim (3 herë, ndaj shtetasve Adriatik Guri (Doga), Rexhep Gina dhe Genci Hida), “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim (2 herë, me të dëmtuar shtetasit Gëzim Çepele dhe Marjus Zejneli)
-Lulzim Spahija (Arapi), akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (3 herë, në dëm të viktimave Çajup Selimi, Fridman Xhaferaj dhe Alban Semaku),  “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Albi Bashaliu), “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Kujtim Meta), “Shkatërrim i pronës me eksploziv” e kryer në bashkëpunim (3 herë, me të dëmtuar shtetasit Erion Çoku, Bashkim Rajku dhe  Arjan Aliço), “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” e kryer në bashkëpunim (ndaj shtetasit Adriatik Guri (Doga), “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim (me të dëmtuar shtetasin Gëzim Çepele).
-Ligor Romacka, i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (2 herë, në dëm të viktimave Çajup Selimi dhe Fridman Xhaferaj) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
-Erisiano Abedini i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Çajup Selimi), “Shkatërrim i pronës me eksploziv” e kryer në bashkëpunim (3 herë, me të dëmtuar shtetasit Bashkim Rajku dhe Bujar Turku).
-Bledar Berberi i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Frdiman Xhaferaj).
-Maringlen Topuzi i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Frdiman Xhaferaj), “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Albi Bashaliu)
-Idriz Manej, i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Fridman Xhaferaj), të parashikuar nga neni 78 e 25 të Kodit Penal.
-Fatjon Veliu, i akuzuar për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” e kryer në bashkëpunim (ndaj shtetasit Rexhep Gina).
-Bujar Abedini, i akuzuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, (në dëm të viktimës Çajup Selimi).
-Enriko Xhahysa, i akuzuar për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim (në dëm të viktimës Albi Bashaliu)
-Klea Gjata e akuzuar për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.