AKTUALITET, 3 Dhjetor 2021, 14:33

Policia shton forcat në rrugë gjatë fundjavës: Rreziku është i madh sepse…

Policia shton forcat në rrugë gjatë fundjavës: Rreziku

Policia e Shtetit paralajmëron se do të shtojë masat gjatë fundjavës, duke rritur prezencën e uniformave blu në rrugë me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Duke marrë parasysh se për shkak të motit të keq rreziku i përfshirjes në aksidente rrugore është i madh, nisur edhe nga fakti se fluksi i lëvizjeve është më i lartë në fundjavë, në akset rrugore nacionale, Policia e Shtetit thotë se ka marrë një sërë masash shtesë.

“Në këtë kuadër, në të gjitha akset rrugore nacionale, urbane dhe rurale, do të ketë prezencë të shtuar të shërbimeve policore, kryesisht të Policisë Rrugore, me mbështetje nga Patrullat e Përgjithshme dhe forcat “Shqiponja”, në qendër qarqe”.

Përgjatë javës, shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme në të gjithë vendin, kanë vijuar kontrollet intensive duke përdorur makinën inteligjente, radarë, dronë, mjete të pauniformuara, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues, për parandalimin e aksidenteve rrugore.

“Gjatë kësaj jave janë evidentuar në shkelje, nga makina inteligjente, 2678 drejtues mjetesh, të cilëve do t’u shkojë masa administrative në banesë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin, gjatë kontrolleve permanente janë evidentuar dhe ndëshkuar 4021 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Janë pezulluar 138 leje drejtimi, nga të cilat 79 për shpejtësi mbi normat e lejuara, shumica e rasteve të konstatuara nga makina inteligjente, 45 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 14 për qarkullim në sens të kundërt.

Janë arrestuar 29 drejtues mjetesh, nga të cilët 21 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi”, tha Policia e Shtetit teksa apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.