AKTUALITET, 19 Mars 2025, 17:19

"Normal, 5 me 1", Shqipëria 2030”, Rama tregon datën e takimit në Kretë: Me shqiptarët e Greqisë dhe të botës me vete

"Normal, 5 me 1", Shqipëria 2030”, Rama tregon datën e

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste i rikthehet turit të takimeve me diasporën në 29 mars, në një takim me shqiptarët në Kretë të Greqisë. Rama shprehu bindjen se “me shqiptarët e Greqisë dhe të botës me vete, fitorja për Shqipërinë 2030 do të jetë e thellë”.

Kryeministri komentoi po ashtu edhe renditjen e subjekteve politike në fletën e votimit për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa u shpreh se rezultati do të jetë pesë me një.

“Njëri: I ra 1-shi Kënetës, kurse juve ju ra 5-sa. Unë: Normal, 5 me 1”, u shpreh Rama, ndërsa lajmëroi takimin me shqiptarët në Kretë në stadiumin e mbyllur “Kladissos”.

Kjo do të jetë hera e tretë që kryeministri zhvillon takime me shqiptarët e Greqisë në kuadër të turit të diasporës, pas takimeve në Athinë dhe Selanik gjatë vitit të shkuar. Turin e bashkëbisedimit me diasporën, Kryeministri Rama e ka nisur në 12 maj 2024 nga Athina, Greqi, për të vijuar më pas në 26 maj në Milano, Itali, dy shtetet me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë.

Në 26 tetor 2024, Kryeministri Rama zhvilloi po ashtu takimin në Nju-Jork me shqiptarët e Amerikës, të cilëve u kërkoi votën në zgjedhjet e 11 majit për të vijuar punën drejt misionit për ta bërë Shqipërinë vend anëtar në BE. Më 3 nëntor 2024 Rama u takua me shqiptarët në Selanik, ndërsa në 24 nëntor 2024 me shqiptarët në Londër.