AKTUALITET, 31 Gusht 2022, 17:53

"Jo më salla parazitësh"/ Përse bastet online mund të jenë më të dëmshme se sallonet fizike

"Jo më salla parazitësh"/ Përse bastet online mund
Foto ilustrim: Edi Rama dhe bastet online në sfond

Qeveria shqiptare duket se ka vendosur të rikthejë bastet, pas një moratoriumi thuajse katër vjeçar, por vetëm në formatin elektronik, të njohura si bastet online. Pavarësisht se kryeministri Edi Rama bëri një "konsultim publik" për këtë çështje, duket se vendimi është marrë dhe se konsultimi është thjesht një fasadë për të "demokratizuar" procesin. 

Kryeministri Rama, e justifikoi idenë e basteve online, duke sugjeruar se shkakton më pak probleme sociale, sesa sallonet e basteve ku qytetarët shpenzojnë paratë, shpesh edhe të ardhurat mujore të familjes. 

Nuk do kthehemi në asnjë mënyrë te sallonet e basteve, lojrat apo te makinetat. Konsiderata është te bastet online. Ka shumë diskutime mbi bastet online. Salla parazitësh ku mblidhen njerëzit dhe hedhin në erë kursimet, nuk do ketë", tha Rama. 

Megjithatë, ekziston rreziku që bastet online "ti hedhin në erë" kursimet e qytetarëve me një ritëm shumë më të lartë dhe të shpejtë, se sallonet e dikurshme të basteve. 

Kjo për faktin se ato janë më lehtë të aksesueshme, fundja thuajse të gjithë kanë internet dhe smartphone. Një konsumator mund të vendosë baste të panumërta pa patur nevojë të dalë nga banesa, apo të tërheqë para në bankomat, çka krijon vonesa dhe mund të frenojë një person për vendosjen e bastit.

Një studim i McCormack dhe Griffiths në 2012, sugjeron se edhe vetë personat që vendosin baste e pranojnë se bastet online janë më tërheqëse dhe për rrjedhojë krijojnë më shumë varësi tek ata. 

Vonesa qoftë edhe me minuta, mund të kenë impakt pozitiv tek një person dhe ta ndalojnë atë të vendosë bastin, duke shërbyer si "cooling off period", pra si një moment reflektimi. 

Me bastet online, lehtësinë dhe komoditetin që të lejon platforma e aksesueshme nga të gjithë, potenciali për "zhytjen" e një personi në bixhoz është shumë më i madh. 

Po kështu, bastet sportive kanë kategori të panumërta për të cilat mund të luash, disa prej të cilave mund të bëhen brenda pak minutave, live, gjatë transmetimit të ndeshjes. Nëse një person nuk ka akses të shpejtë tek platforma, ndonjëherë për çështje sekondash, ai thjesht e humbet mundësinë e vendosjes së bastit, në këtë mënyrë duke kursyer para. 

Sigurisht këta persona mund të vizitonin një sallon bastesh dhe të kryenin të njëjtën praktikë, por sidoqoftë numri i tyre është më i limituar, ndërsa bastet online janë të aksesueshme thuajse nga gjithëkush dhe në çdo moment, mjafton të posedosh një smartphone dhe lidhje interneti. 

Platformat online të basteve, u sigurojnë përdoruesve anonimitet. Një "bastexhi" nuk do të duhet të paraqitet te salloni i basteve, i cili gjithsesi mbart një lloj stigme në shoqëri, por mund të luajë pa limit nga komoditeti i shtëpisë së tij. 

Një studim i Himenez-Murcia et al në vitin 2011, mbi bixhozxhinjtë problematikë, tregoi se personat që luajnë online, kishin nivel më të lartë edukimi, nivel më të lartë socio-ekonomik, shpenzonin më shumë dhe kishin më shumë borxhe si pasojë e basteve. Megjithatë studimi nuk gjeti ndonjë ndryshim në karakteristikat psikologjike dhe të personalitetit, krahasuar me personat që luajnë bixhoz në sallone. 

Pra, ekziston potenciali që bastet online të shtyjnë drejt bixhozit edhe persona të një niveli më të lartë socio-ekonomik, ndryshe nga "bastexhinjtë e salloneve" që sipas Ramës "hedhin në erë" kursimet e familjes, çka do të shërbente për ta zgjeruar gamën e personave që bëhen të varur nga bixhozi. 

Bastet online mund të kthehen në një katastrofë shumë më të madhe sociale, sesa pikat e basteve të shpërndara nëpër qytet, nëse qeveria nuk do ti shoqërojë këto platforma me masa të rrepta kontrolli, me vendosjen e limiteve sipas të ardhurave personale, siç ndodh në disa vende europiane, për personat që kanë probleme me bixhozin dhe me praktika të përjashtimit të atyre që kanë varësi e cila u shkakton mjerim ekonomik, drama personale dhe familjare.  

Mbyllja e salloneve fizike, nuk jep asnjë garanci që kursimet e familjeve shqiptare nuk do të përfundojnë në këto gropa të zeza, madje gropa do të jetë më e madhe, e hapur 24 orë dhe e aksesueshme nga i gjithë populli shqiptar.