AKTUALITET, 24 Gusht 2022, 09:58

Inflacioni dhe lëvizje e stafit, sektori financiar po përballet me trysni për rritje të pagave

Inflacioni dhe lëvizje e stafit, sektori financiar po përballet me

Inflacioni i lartë dhe mungesa e forcës së specializuar të punës po shton presionet pë rritje pagash edhe në sektorin financiar.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në 6-mujorin e parë 2022, shpenzimet e sektorit bankar për personelin shënuan vlerën rekord të 6.43 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, shpenzimet e bankave për personelin janë rritur me 10%. Pjesërisht, rritja e shpenzimeve është ndikuar edhe nga rritja e numrit të të punësuarve.

Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në mesin e këtij viti numri i të punësuarve në sektorin bankar rezultonte në rritje krahasuar me një vit më parë, por në një masë më të vogël, me 1.5% më shumë. Kjo tregon se ndikimin kryesor në rritjen e shpenzimeve për pesonelin duket ta ketë dhënë rritja e pagave.

Ndërkohë, shifrat zyrtare të INSTAT tregojnë se për tremujorin e parë të vitit paga mesatare në sektorin financiar dhe atë të sigurimeve regjistroi rritje me 12.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Burime nga njëra prej bankave tregtare në vend shprehen për Monitor se këtë vit banka është detyruar të aplikojë një rritje domethënëse të pagave, sidomos për pozicionet e ulëta, kryesisht të arkëtarëve dhe punonjësve të shërbimit me klientin.

Burimet shprehen se bankat po përballen me një lëvizje shumë të madhe të stafit në këto pozicione dhe kjo i ka detyruar të rishikojnë në rritje pagat, duke pasur parasysh edhe nivelet e larta të inflacionit që kanë gërryer fuqinë blerësve, duke prekur së pari individët me paga më të ulëta.

Një tendencë e ngjashme vërehet edhe në sektorin e mikrofinancës. Drejtues të njërit prej institucioneve financiare jo banka më të rëndësishëm në vend shprehen se ky sektor po përballet me nevojën për të rritur pagat, për shkak të inflacionit të lartë, por edhe të niveleve në rritje të qarkullimit të stafit.

Shumë sektorë ekonomikë në vitet e fundit po përballen me vështirësi për forcë pune të specializuar dhe rrjedhimisht me rritje të kostos së punës.

Kjo tendencë mund të shpjegohet me emigracionin në rritje mes të rinjve, por edhe me zgjerimin e disa aktiviteteve ekonomike të llojit të fasonerisë apo të outsourcing të shërbimeve nga kompanitë e huaja. Inflacioni i lartë tashmë po i rrit edhe më shumë trysnitë nga tregu për të rritur pagat. Rritja e kostos së punës për shkak të inflacionit mund të jetë një moment delikat në ciklin e ekonomisë.

Rritja apo indeksimi i pagave i ndihmon punëmarrësit të ruajnë fuqinë blerëse, por nga ana tjetër mund të ushtrojë presione të shtuara mbi marzhet e bizneseve dhe të nxisë një rritje të mëtejshme të çmimeve, sidomos në kushtet kur shumica e sipërmarrjeve po përballet me një rritje në shkallë të gjerë të kostove të prodhimit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të vitit inflacioni bazë arriti nivelin më të lartë historik, prej 6.3%. Rritja e lartë e inflacionit bazë është një tregues se rritja e çmimeve të lëndëve të para është përcjellë në të gjithë zinxhirin e çmimeve të konsumit në ekonomi.

Inflacioni dhe lëvizje e stafit, sektori financiar po përballet me

Efekti spiral mes rritjes së çmimeve dhe pagave është një nga rreziqet kryesore për ekonominë në periudhat inflacioniste, ndaj është e rëndësishme që rritja e fortë e çmimeve të frenohet para se inflacioni i lartë të përcillet masivisht në nivelin e pagave dhe në kostot e tjera të bizneseve./Monitor