AKTUALITET, 3 Prill 2025, 11:01

Fushata e 11 majit/ PD, thirrje KQZ të mbyllë zyrën elektorale të socialistëve në Delvinë! Zhupa: PS ka shkelur legjislacionin!

Fushata e 11 majit/ PD, thirrje KQZ të mbyllë zyrën elektorale

PD kërkon nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, mbylljen e zyrës elektorale të PS-së në Delvinë.

Përmes një deklarate deputetja demokrate, Ina Zhupa, thotë se PS ka shkelur legjislacionin elektoral, duke hapur një zyrë elektorale jo më pak se 50 metra larg KZAZ-së, e gjithë kjo në shkelje me ligjin.

Zhupa thotë se sipas legjislacionit zgjedhor çdo zyrë elektorale do të duhet të ketë një distancë të paktën 300 metra larg KZAZ-së dhe larg qendrave të votimit.

Deklarata Ina Zhupa nga Delvina:

Ndodhem në qytetin e Delvinës, këtu janë ambientet e KZAZ-së për Bashkinë e Delvinës.

Sipas legjislacionit zgjedhor çdo zyrë elektorale do të duhet të ketë një distancë të paktën 300 metra larg KZAZ-së dhe larg qendrave të votimit.

Në këtë ambient do të jetë KZAZ-ja siç është aktualisht, dhe do të jenë edhe 2 qendra votimi në ditën e zgjedhjeve.
Partia Socialiste, kandidatët e saj të listës së hapur, kanë shkelur legjislacionin zgjedhor dhe udhëzimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve duke hapur një zyrë elektorale jo më pak se 50 metra larg KZAZ-së.

Pra sapo zbret shkallët e KZAZ-së t`i ke propagandën e Partisë Socialiste që pret votuesit ditën e zgjedhjeve apo administratën zgjedhore gjatë punës së tyre në KZAZ.

Kjo është e ndaluar nga ligji dhe i kërkojmë Komisionerit Shtetëror që menjëherë të marrë masat për mbylljen e kësaj zyre elektorale në qytetin e Delvinës.