AKTUALITET, 20 Mars 2023, 13:36

Dhurata Çupi flet për mbledhjen e njoftuar nga Alibeaj: E djathta të bashkohet dhe të ecë drejt zgjedhjeve të 14 majit

Dhurata Çupi flet për mbledhjen e njoftuar nga Alibeaj: E djathta

Deputetja e PD, Dhurata Çupi në një intervistë në studion e Televizionit Panorama, ka apeluar dhe një herë tjetër që e djathta të bashkohet dhe të ecë drejt zgjedhjeve të 14 majit me një kandidat të përbashkët.

Mos dalja me një kandidat tha Çupi, do të ketë pasoja vetëm tek qytetarët mbështetës të PD, të cilët nuk e meritojnë përçarjen. Sipas deputetes së PD, demokratët janë shumë afër mazhorancës në zgjedhje, nëse janë të bashkuar, kjo referuar dhe zgjedhjeve të 2021.

“S’do rreshtim së thirruri palën tjetër që kjo është në të mirë të demokratëve. Interesi i demokratëve është në këto zgjedhje se bëhet fjalë për bashkitë. Për t’i dhënë individë me integritet e të përbashkët që të votohen nga e gjithë e djathta. Në 2021 e provuam, pamë që jemi shumë afër me mazhorancën aktuale për të marrë qeverisje, shumë afër me besimin e shqiptarëve se e gjithë e djathta ishte bashkë. Imagjinoni me kryebashkiakët kur modelet e kësaj qeverisje janë më regresive. Të bëjmë paqe mes gjithë grupimeve të lëmë mënjanë çdo hatërmbetje e nën siglën e PD tu ofrojmë shqiptarëve kandidaturat më me integritet”, tha Çupi.

Duke folur për mbledhjen e Kryesisë së PD dhe grupit parlamentar demokrat të thirrur nga Enkelejd Alibeaj këtë të hënë, në selinë e re të marrë prej grupimit të Alibeajt, Dhurata Çupi zbuloi detaje nga rendi i ditës.

“Jam njoftuar për sot për mbledhjen, diskutimi mbi platformën e zgjedhjeve lokale, listat e këshilltarëve bashkiakë dhe diskutimi për kandidaturat për kryetarë bashkish. Diskutimi do jetë i hapur me thirrjen që të jemi në një kandidaturë e gjithë e djathta. Uroj të arrihet, ky është rendi i ditës së sotme”.

Çupi ndër të tjera ka nënvizuar faktin se grupimi i Berishës ka mbështetje, por se demokratët po çorientohen.

“S’ka qenë e nevojshme që një grupim të shkojë me tre parti të tjera ndërkohë që ka selinë e PD. Ftesa jonë ka qenë e sinqertë dhe dashamirëse se ne jemi të votuar nga demokratët, grupimi i deputetëve, patjetër që demokratët janë në një situatë të vështirë nga një anë është sigla e logo, nga ana tjetër lëvizja e Berishës që ka mbështetje kryesore nga strukturat për vetë atë që përfaqëson. Kjo ndasi nuk na çon askund, është ndasi që konseguencat do jenë vetëm për demokratët.

Ju bëj thirrje që kandidatët për kryetar bashkie të jetë i përbashkët mos i vendosim në dilema demokratët e mos bëhemi qesharakë. Ne strukturat qendrore të PD po i vëmë në një siklet të madh demokratët, që nuk e meritojnë, në një kuadër përçarës po i vëmë, nuk e meritojnë”.