AKTUALITET, 25 Shkurt 2024, 22:08

Debati për ligji i ri i basteve, Eduart Shalsi: Kriteret për licensë janë forcuar. Erion Braçe: Bastet do ta mbysin sportin

Debati për ligji i ri i basteve, Eduart Shalsi: Kriteret për

Ligji për lojërat e fatit kaloi në parlament me 72 vota nga mazhoranca socialiste, por debatet nuk munguan, ndërsa dy deputetë Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj e abstenuan votimin.

Drafti pësoi disa ndryshime gjatë konsultimeve, ndërsa në versionin përfundimtar u rritën kriteret për 10 kompanitë që do të konkurrojnë të marrin licencë. Sipas kryetarit të komisioni të ekonomisë, përveç se duhet të kenë partner një kompani që operon në vendet e OECD-së me minimalisht tre vite eksperiencë duhet të plotësojnë edhe një kuotë të caktuar aksionesh.

“Kompanitë të cilat do të duhet të marrin pjesë në garë dhe të kenë si aset ekspertizën e tyre të kenë jo më pak se 30% të aksioneve në kompaninë që do të konkurrojë për licencën. Së dyti kemi shtuar në draftin e ri dhe një ofertë ekonomike, do të kërkohet që kompanitë që marrin pjesë në garë të ofrojnë edhe një shumë të caktuar e cila do të shërbejë si kriter edhe për përzgjedhjen e fituesit”, tha Eduard Shalsi.

Një nga pikat e forta të përplasjes që prodhoi ligji mes socialistëve ishte fakti nëse organizator i vetëm në treg i këtyre lojërave duhej të ishte shteti apo t’i jepej privatit,  si edhe mënyra e taksimit. Në draftin e parë lojërat e fatit parashikohej të taksoheshin në masën 0.4% të xhiros vjetore, ndërsa fondet kalonin automatikisht te Federatat Sportive.

Me ndryshimet që pësoi masa e taksimit u vendos në 25% të ardhurave bruto, ndërsa fondet do të shpërndahen me VKM. Në një dalje të tijën në rrjete sociale deputeti Braçe u shpreh se ligji nuk ndihmon sportin, pro vetëm organizatorët.

“Në 200 lekë të luajtura nga lojtari, sporti do të marrë 4.5 lekë, ndërsa nga 200 lekë të luajtura nga lojtari apo viktima, në buxhetin e shteti do të hyjnë si tatim-fitim vetëm 2.32 lekë. Është më pak se gjysma e pesë lekëshit. Lërini budallallëqet që do shëndoshet sporti e do shëndoshet ekonomia e klubeve të futbollit nga bastet. Bastet do ta mbysin sportin në këtë vend, siç e kanë mbytur edhe tani që luhen në mënyrë të paligjshme”, tha Erjon Braçe.

“Të ardhurat që do të realizohen nga tatimi që do të paguhet që varion nga 15 – 25% por plus kësaj janë edhe disa tarifa të tjera që do të shkojnë pikërisht për financimin e aktiviteteve sportive dhe jo vetëm”, sipas Shalsit.

Ligji nuk lejon qytetarët që të luajnë me para fizike, por vetëm nëpërmjet një llogarie bankare. Kuvendi i ka lënë qeverisë 6 muaj kohë për të nxjerrë aktet nënligjore, në mënyrë që hapja e basteve sportive të fillojë brenda vitit.