AKTUALITET, 25 Shkurt 2024, 19:47

'Më ndihmoni të vij në Atdhe, në Vlorën time!', mësuesja e shtruar në spitalin francez apelon shqiptarët

'Më ndihmoni të vij në Atdhe, në Vlorën

Mësuesja e biokimisë, Ina Kasimati, kërkon edhe një herë ndihmën e shqiptarëve. Ndërsa dy vite më parë ajo kërkoi ndihmë për të mos qenë e vetme në luftën kundër kancerit në një klinikë në Francë, sot, e shtruar në një klinikë në Strasburg, në një fazë shumë të rëndë, ajo kërkon ndihmë për t'u kthyer në atdhe.

"Unë jam Ina Kasimati, shumë më njohin si zysha, disa të tjerë si aktiviste, shumë të tjerë, si njeriun që po lufton fort për jetën. Prej dy javësh jam e shtruar në spitalin onkologjik të Strasburgut, Francë, ku po mbahem me tuba e sondë dhe kthimi në Shqipëri nuk mund të bëhet me avion, por vetëm me çarter mjeksor, pasi nuk mund të shkëputem nga aparaturat.
Ky çarter ka një kosto prej 17.000 eurosh (shtatëmbëdhjetë mijë euro).

Tash pas 2 vitesh kam nevojën tuaj, miqtë e mikeshat e mia, të njohur e të panjohur. Sëmundja e përbindshme në mua ka përparuar, aq sa metastazat kanë bërë dëmtimet e tyre. Besimi im më i fortë gjatë gjithë këtyre viteve ka qënë tek Zoti, dhe tek ju miqtë e mi, të njohur e të panjohur, të cilët para dy vitesh më dhatë mundësinë të kisha shpresë e të luftoja më shumë.

Kërkoj të kthehem në Atdhe, në Vlorën time, dhe kjo dëshirë e imja, u përkrah edhe nga mjeket, të cilët më deklaruan se ilaçi më i mirë për mua është familja ime. Mendja, shpirti im janë optimistë, sepse unë dua të jetoj, unë e dua jetën!

Unë kam besim tek fuqia e solidaritetit tuaj, që së bashku me birin tim, Amantin, i cili ka qenë forca ime më e madhe e çdo dite, të vijmë në Shqipëri të sigurt. Dhe ky kthim duhet të bëhet brëeda 10 ditëve. Prandaj ju kërkoj me përulje, mirënjohje edhe njëherë të më ndihmoni të vij në Shqipërinë time. Zoti ju bekoftë!

p.s Ju lutem mos përdorni llogarinë e Reiffeissen Bank të përdorur para dy vitesh, pasi është e bllokuar"-shkruhet në llogarinë e hapur për ta ndihmuar, ku deri tani, janë mbledhur 555 euro.