AKTUALITET, 4 Tetor 2022, 11:22

"Brenda kësaj jave çmim tavan për naftën për peshkatarët", Rama: Kush bën manovra do të detyrohet të dorëzojë depozitat

"Brenda kësaj jave çmim tavan për naftën për

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar ditën e sotme se brenda kësaj jave peshkatarët do të paguajnë një çmim unik, tavan për naftën të vendosur nga Ministria e Bujqësisë.

Ai u shpreh se nuk do të lejohen më lojëra për të nxjerrë fitime nga djersa e peshkatarëve ndërsa paralajmëroi furnitorët që nuk i qëndrojnë vendimit se do t’u sekuestrohen depozitat e naftës.

“Është e domosdoshme të mos ndalojmë mbështetjen e fermerëve. Nafta është rritur por ne na intereson që kjo rritje të mos prekë ata të cilët janë në frontin e parë të prodhimit, punës dhe shërbimeve.

Prandaj kemi investuar për naftën pa taksa dhe kemi dhënë edhe një ndihmë ekstra për naftën për ju. Çështja e një loje të çmimit të naftës që bëhet këtu në Portin e Durrësit do të mbarojë. Do të vendoset një çmim unik tavan për të gjithë peshkatarët i detyruar. Do i shërbejnë këtyre peshkatarëve pa  asnjë lëvizje.

Nuk ka këtu vend për të bërë lodra dhe as për të nxjerrë fitime nga djersa juaj duke bërë xhibla me furnizimin. Nuk do të lejojmë të ketë dallim mes një furnitori dhe një tjetri në Portin e Durrësit. Do e kenë të gjithë çmimin njësoj. Kjo do të bëhet brenda kësaj jave. Kush bën lëvizje nga ky detyrim do të detyrohet të dorëzojë depozitat”, u shpreh Rama.