SPORT, 11 September 2026, 22:58

500 mijë euro në sezon për Hysajn/ Mbrojtësi i Kombëtares refuzon ofertën e bujshme nga Egnatia

Elseid Hysaj vijon të jetë pa ekip, ndërsa po shqyrton disa oferta për të ardhmen e tij, tashmë si lojtar i lirë.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është stërvitur për disa ditë me Vllazninë, ndërsa së fundmi është bërë e ditur se ka marrë një ofertë të rëndësishme nga një klub i Superiores.

Sipas raportimeve, Egnatia i ka ofruar Hysajt rreth 500 mijë euro në sezon për t’u bashkuar me skuadrën rrogozhinase.

Shifra do të përbënte një nga kontratat më të larta të ofruara ndonjëherë në kampionatin shqiptar. Megjithatë, Hysaj raportohet se e ka refuzuar ofertën, pasi synon të vijojë karrierën jashtë Shqipërisë.

Hysaj nuk është i vetmi futbollist i njohur i Kombëtares që ka marrë një ofertë të konsiderueshme nga një klub shqiptar.

Një situatë e ngjashme i kishte ndodhur edhe Lorik Canës. Në vitin 2005, ai mori një ofertë prej 500 mijë dollarësh nga Partizani për t’iu bashkuar skuadrës së kuqe.

Cana, i cili në atë periudhë ishte pranë largimit nga PSG-ja, e refuzoi ofertën e ish-presidentit të Partizanit, Albert Xhani, pasi po përgatitej për transferimin te Olympique Marseille, klub ku më pas u shndërrua në një nga figurat më të njohura shqiptare.