AKTUALITET, 30 Shtator 2021, 17:28

Pyetja që mbështetësit e Bashës “harrojnë” ta bëjnë

Pyetja që mbështetësit e Bashës “harrojnë”


Nga Andi Bushati

Tonet e larta dhe mesazhet e foltores së Sali Berishës po e ndajnë gjithnjë e më shumë në dysh opinionin opozitar. Në varësi të faktit nëse janë pozicionuar pro Bashës, ose pro ish mentorit të tij, palët po përzgjedhin argumentat që i shkojnë për shtat vetëm njërit nga kampet.

Për të parët, lëvizja e Berishës është e pasinqertë dhe nisur nga motive ekskluzivisht personale. Ata e shohin atë si shprehjen e egoizmit eksesiv të një patriarku të gatshëm të sakrifikojë krejt familjen duke e përdorur si mburojë për vete. Ata denoncojnë hipokrizinë e zbulimit, pas të vjelave, të tradhëtive, bizneseve dhe pazareve të Bashës me Ramën. Ata nuk e durojnë dot mungesën e ndershmërisë në shpjegimin që jepet tani për dështimet e politikave të ndjekura në harkun e viteve 2013 -2021.

Pra shkurt, sipas tyre, për shtysat personale, argumentat hipokritë dhe qëllimet e dyshimta, aksioni i Berishës e dëmton opozitarizmin.

Krejt ndryshe logjikon krahu tjetër që e sheh peshën e mekatit vetëm tek Basha. Për ta, kreu i PD mashtron kur thotë se nuk kishte rrugë tjetër veçse ti nënshtrohej trysnisë amerikane. Ata nuk e kapërdijnë dot sjelljen prej autokrati qesharak që vendos vetë, pa pyetur kërkënd. Justifikimet se Berisha është i panjollë, se ai sendërzon historinë e demokrateve, por kushtet na detyrojnë ta vrasim pak, ngjajnë edhe më absurde në sytë e atyre që e shohin Bashën si një lider të kapur peng.

Po ti shqyrtosh një e nga një pretendimet e të dyja kampeve, ato duken sikur janë të drejta. Edhe Basha edhe Berisha kanë hipokrizi, gënjeshtra dhe manipulim në versionin e tyre të ngjarjeve. Ata numërojnë gjysëm të vërteta që po ti përtypësh të shkëputura nga konteksti, i japin të drejtë atij që bën i fundit enumeracionin e vet të njëanshëm.

Kjo lloj përzgjedhjeje selektive shumë e dukshme, si në debatin brenda partiak, po aq edhe në atë mediatik, është e bazuar tek një teknologji e njohur komunikimi. Principi i saj mbështetet tek parimi i thjeshtë i këndit se ku përcakton ta vendosësh kamerën. Ose e fokuson atë tek mëkatet e njërës palë, ose tek ato të tjetërës. Të gjithë refuzojnë të përdorin kamerën këndgjërë që i jep publikut një panoramë të plotë.

Pikërisht për të përfituar një tablo sa më reale, ne duhet ti shmangemi pyetjeve kurth, se kush gënjen më shumë dhe mashtrimet e cilit grup janë më të pabesueshme.

Tani palët kanë hyrë në një betejë politike dhe përvoja na ka mësuar, se sa do keq të na vijë, në Shqipëri kjo luftë nuk zhvillohet asnjëherë në mënyrë të ndershme.

Pra, për të kuptuar të vërtetën, ne nuk duhet të mbetemi peng i dilemës se kush po spekullon tani. Ne duhet të ngrejmë disa pikpyetje të tjera: Kush e frymëzoi dhe kush e nxiti “non grta-n” e Berishës? A nuk ishte Rama ai që e paralajmëroi gati dy vitë më parë? Nga e dinte kryeministri shumë para kohe një vendim të qeverisë amerikane? Dhe më tej akoma: Mirë frymëzimi mund të jetë nga kundërshtarët politikë të Berishës, po përfituesit cilët janë? A nuk erdhi goditja menjëherë sapo brenda PD-së filloi të qarkullonte ideja radikale e kontestimit të zgjedhjeve të blera? A nuk po fërkon duart Edi Rama, duke e parë opozitën të përleshet mes vetes deri në asgjesim?

Pra një gjë është e qartë: edhe inspiruesi edhe përfituesi i aktit që mban firmën e sekretarit të shetit Blinken është kryeministri. Duke e çertifikuar këtë akt, duke vendosur personalisht për përjashtimin e Berishës, me apo pa ndërgjegjje, Lulzim Basha u bë pjesë e një skeme që përçau opozitën. Ai luajti lojën e Edi Ramës dhe tërhoqi vëmendjen nga diskutimi i krimeve të pushtetit.

Përpara se të vëmë në peshore gjysëm të vërtetat që artikulojnë, qoftë berishistët, qoftë kundërshtarët e tyre, ne nuk duhet të harrojmë të shtrojmë pyetjen themelore, që qëndron në gjenezë të gjithë kësaj historie. Ne duhet të vëmë gishtin mbi arkitektin që skicoi konturet e gropës së varrit për PD-në.

Por, fatkeqësisht, Basha dhe mbështetësit e tij, i shmangen shpënies në thelb të kësaj historie, sepse po të bëjnë këtë, del e qartë se, me aktet që kanë kryer dhe me qëndrimet që po mbajnë, ata çojnë ujë drejt pushtetit të Ramës.

Prandaj thënia e kësaj të vërtete, bërtitja e saj me zë të lartë, nuk ka të bëjë aspak, as me rreshtimin në krah të Berishës, as me marrjen në mbrojtje të trashigimisë berishiste. Sepse edhe me këtë fushatë, të mbushur me plot hipokrizi, dhe të pavërteta, lideri historik i PD-së po tregon se është i njëjti që kemi njohur këto 30 vjet. Por ama, thënë këtë, atij i duhet njohur një meritë, që qoftë edhe për arsye personale, vendosi të denoncojë njeriun që e ka shndërruar opozitën në fasadë duke u bërë, me hir apo me pahir, zgjatim i skemës së Edi Ramës./Lapsi.al