AKTUALITET, 2 Shtator 2019, 22:29

Ylli Ndroqi prezanton ndryshimet e mëdha në mediat e tij, tashmë me televizion gjeneralist dhe informativ

Pronari i grupit mediatik "Yldon", Ylli Ndroqi, ka prezantuar ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në mediat e tij, konkretisht me një televizion të ri gjeneralist, RTV Ora dhe me një televizion informativ, Ora News.

Televizioni gjeneralist do të konkurojë me televizionet e tjera të mëdha në vend dhe pritet të sjellë shumë surpriza, që prej shtatorit.

Ndroqi i prezantoi këto ndryshime, sëbashku me drejtoreshën e re të programacionit, Brisida Shehaj dhe stafin drejtues të këtyre mediave.

Ylli Ndroqi: Ora tashmë është një televizion i konsoliduar në tregun mediatik shqiptar. Menduam me gjithë bordin drejtues që televizioni Ora të kthehet në një televizion gjeneralist dhe Channel One të kalojë në një televizion news, që do të thotë Ora dhe Ora News. Më vonë do të kemi një televizon tjetër që do t'u bashkangjitet, Ora Junior.

Stafit do ti bashkohet dhe Brisida Shehaj. Në drejtimin e Programacionit ajo pritet të sjellë risi dhe do ti afrojë  të dyja televizionet edhe më pranë shqiptarëve dhe jo vetëm.

Brisida Shehaj: Ne mund të bëjmë gjëra shumë të mira duke u treguar realitetin shqiptarëve gjë që në televizionet e tjera sa vjen dhe po mungon edhe më shumë. Nuk jemi televizion opozitar, por televizion i të vërtetës, duhet të mbetemi të tillë.