AKTUALITET, 11 Mars 2020, 12:57

VIDEO/ Tentuan të vidhnin banesën në “Don Bosko”, arrestohen dy të rinjtë

VIDEO/ Tentuan të vidhnin banesën në “Don Bosko”,


Një grua në Tiranë ka njoftuar Policinë pasi dy të rinj kanë tentuar t’i futen në shtëpi për ta grabitur, por gjithçka ka mbetur në tentativë.

Blutë e kryeqytetit thanë se kanë identifikuar dy autorët dhe nga kontrolli në banesën me qira ku ata jetonin, “shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë, me një krehër me fishekë, të cilën dyshohet se këta shtetas do ta përdorin për të realizuar vjedhjen”.

“Policia vuri në pranga autorët e dyshuar, shtetasit G. A. alias S. H., 23 vjeç dhe E. S., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë”.

NJOFTIMI I PLOTË

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor “Egnatia”.

Tentuan të vidhnin në një banesë, por falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale arrestohen në flagrancë nga Policia, 2 autorët e dyshuar.

Gjatë operacionit, në banesën me qira të këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe armën e zjarrit tip pistoletë që dyshohet se këta shtetas e kishin me vete gjatë tentativës për të kryer vjedhjen.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas njoftimit të marrë se në rrugën “Don Bosko”, në banesën e shtetases S. M., dy shtetas kishin tentuar të hynin në banesë dhe njëri prej tyre dyshohej se mbante një armë zjarri në dorë, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë.

Falë veprimeve të shpejta e profesionale, brenda një kohe të shkurtër, Policia identifikoi dhe vuri në pranga autorët e dyshuar, shtetasit G. A. alias S. H., 23 vjeç dhe E. S., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira nga këta shtetas, në rrugën “Egnatia”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë, me një krehër me fishekë, të cilën dyshohet se këta shtetas do ta përdorin për të realizuar vjedhjen.

Vijon puna për dokumentimin e ngjarjeve të tjera në të cilat mund të jenë implikuar këta shtetas.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vjedhja e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.