BOTA, 1 November 2026, 19:22

Trump telefonon Netanyahun, në tryezë planet për sulme të reja ndaj Iranit: Mund të shkatërrojmë brenda 10 minutash…

Trump telefonon Netanyahun, në tryezë planet për sulme të

Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të shtunën në mëngjes, në një kohë kur po shtohen raportimet për planet ushtarake amerikane për sulme të reja ndaj Iranit.

Sipas raportimit të “Wall Street Journal”, që citon burime të njohura me zhvillimet, telefonata mes dy liderëve vjen mes diskutimeve për mundësinë e goditjeve të tjera ndaj objektivave iraniane pas zgjedhjeve të mesit të mandatit për Kongresin amerikan, të planifikuara më 3 nëntor.

Vetë Trump, duke folur me gazetarët në Palm Beach, deklaroi se SHBA-të kanë ende objektiva të tjera që mund të goditen në Iran, duke lënë të hapur mundësinë e një ndërhyrjeje të re ushtarake.

“Ne ende duhet të kujdesemi, do të thoja, për një ose dy objekte, por mund ta bëjmë këtë brenda 10 minutash”, u shpreh presidenti amerikan.

 

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se shpreson që pala amerikane të zgjedhë rrugën diplomatike dhe jo atë ushtarake.

“Ne po bëjmë përpjekje në këtë drejtim dhe shpresojmë që logjika të mbizotërojë në anën tjetër, në mënyrë që diplomacia të preferohet mbi rrugët e tjera”, deklaroi Araghchi, duke iu referuar negociatave për përfundimin e luftës.

Megjithatë, kryediplomati iranian paralajmëroi se Teherani është i përgatitur edhe për një përshkallëzim të ri ushtarak në rast se bisedimet dështojnë.

“Forcat tona të armatosura kanë gjithashtu një mision shumë të qartë dhe, duke u mbështetur në përvojat e dy luftërave të mëparshme, janë shumë më të forta se më parë”, theksoi ai.

Ndërkohë, negociatorët iranianë ndodheshin të dielën në Doha, ku vijuan bisedimet me ndërmjetësit e Katarit, të nisura të premten. Araghchi konfirmoi se diskutimet ishin ende në zhvillim, por se nuk ishte marrë një vendim përfundimtar.

Një nga çështjet kryesore të negociatave është edhe Ngushtica e Hormuzit, një korridor strategjik për transportin ndërkombëtar të naftës. Sipas ministrit të Jashtëm iranian, negociatorët e Teheranit dhe ata të Katarit kanë hartuar një propozim për rihapjen e saj brenda dy ditësh nga arritja e një marrëveshjeje të mundshme me Uashingtonin.