BOTA, 29 August 2026, 22:23

Tragjedi në Qipro, stuhia përplas varkën pas shkëmbinjve, humb jetën biznesmeni i njohur

Një ngjarje tragjike është regjistruar në Qipro, pasi një stuhi e fortë goditi zonën e Cape Greco dhe shkaktoi përplasjen e disa varkave me shkëmbinjtë.

Viktimë e ngjarjes ka mbetur 76-vjeçari Dimis Mavropoulos, biznesmen i njohur nga Limasoli dhe ish-pilot garash automobilistike. Varka me të cilën ai ndodhej u përplas në zonën detare të Agioi Anargyroi, mes Cape Greco dhe Konnos, teksa kushtet e motit u përkeqësuan me shpejtësi.

Tre varka u përballën me detin e trazuar dhe erërat e forta, ndërsa dy prej tyre përfunduan të bllokuara dhe të dëmtuara rëndë në shkëmbinj.

Autoritetet aktivizuan Planin Kombëtar të Kërkim-Shpëtimit “NEARCHOS” dhe nisën një operacion me mjete detare dhe ajrore. Mavropoulos u gjet pa ndjenja mbi shkëmbinj, por pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ai nuk mundi të mbijetojë.

Në aksident u plagosën edhe vajza dhe partnerja e tij, të cilat u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm të Famagustës. Në total, gjashtë persona u shpëtuan gjatë operacionit.

Mavropoulos ishte një figurë e njohur në Qipro edhe për pasionin e tij për automobilizmin. Ai kishte garuar si pilot rally që në moshë të re dhe ishte përfshirë në krijimin e Muzeut të Automobilave të Qipros në Limasol, ku kishte mbledhur automjete historike dhe të rralla.

Stuhia shkaktoi probleme të shumta në pjesë të ndryshme të ishullit, përfshirë përmbytje, dëmtime të ndërtesave, rrëzime pemësh dhe ndërprerje të energjisë elektrike.