TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Simone Inzagi më në fund mund të buzëqeshë edhe në kampionat, një kompeticion që jo pak herë e ka tronditur pankinën e tij. Këtë herë për të menduan Lukaku e Lautaro dhe në fund të ndeshjes, trajneri nuk mund të kishte veç fjalë pozitive për dyshen e kryesisht për belgun.
“Jam shumë i kënaqur me përgjigjen e skuadrës. Kam marrë sinjale të shkëlqyera nga të gjithë edhe prej atyre që kanë luajtur më pak. Në pjesën e parë dominuam, por ishim të parashikueshëm dhe e dinim që mund të bënim më mirë. Pastaj erdhi goli i Romelut që na i lehtësoi gjërat.
Është shumë e rëndësishme të kesh Lukakun e vërtetë, për këtë e kemi marrë. E dimë sa ka vuajtur ai dhe ne, po punon mirë si të gjithë sulmuesit e tjerë dhe tani kam një problem të bukur në zgjedhjen mes tyre. Ai, Lautaro, Korrea dhe Xheko janë shumë të rëndësishëm për mua dhe për mundësinë për të zgjedhur”, tha Inzagi për “Dazn”.
KALENDARI DHE ASLLANI – Pa dyshim që ndaj trajnerit nuk munguan as pyetjet mbi gjysmëfinalen e Champions-it dhe përgatitjen drejt saj. “Ajo ndaj Milanit do të jetë një sfidë e rëndësishme, pasi është në garë finalja e kompeticionit më të rëndësishëm të Europës.
Para saj kemi shumë sfida të tjera për të përballuar dhe nuk kemi as kohën për të menduar shumë për të. Nesër (sot) duhet të stërvitemi dhe pastaj të grumbullohemi. Kalendari është një çmenduri, por nuk duhet të kemi alibi. Duhet të jemi më të fortë se gjithçka”, u shpreh 47-vjeçari që komentoi edhe mesfushën.
“Çalha dhe Brozo bashkë ndaj Juves? Kanë treguar edhe sezonin e shkuar që mund të luajnë bashkë. Pastaj kemi Barelën, Mikhitarianin, Galjardinin, por edhe Asllanin që është në rritje.
Shpresoj t’i kem të gjithë në dispozicion”. Trajneri nuk i shpëtoi dot as pyetjes mbi deklaratën e vëllait të tij, Filipo Inzagit, që tregoi se do të mbështeste Milanin në gjysmëfinale. “Pipo kishte të drejtë kur tha që ishte gjysmëfinalja perfekte. Ai është tifoz i Milanit, ka dhënë gjithçka për atë fanellë, por sido të shkojë do të jetë i kënaqur”.