TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Finalja e Ligës së Kampioneve sot në darke, ka si ”tifozë të interesuar” edhe dy klube shqiptare. Për shkak të ndryshimeve që sjell në përbërjen e vazove të shortit në edicionin e ardhshëm të Kupave të Europës fitorja e njërit ekip apo tjetrit, skuadrat e Egnatias dhe Partizanit janë të interesuara që ndeshja mes Real Madrid dhe Borusia Dortmund, të përfundojë në favor të ekipit madrilen.
Fitorja e Realit ndaj Dortmundit, do të bënte që të kishte ndryshime në disa raunde të fazës kualifikuese sa i përket ekipeve pjesëmarrëse dhe kjo zhvendosje do të largonte nga turi i parë kualifikues i Ligës së Kampioneve skuadrat e Karabakut dhe Ferencvaroshit, duke hequr në këtë mënyrë dy kundërshtarë potencial shumë të vështirë për Egnatian në short. Rrogozhinasit janë të vendosur në vazon e ekipeve të dobëta dhe fitorja e Realit bën që të shmangin këto dy superfuqi.
Ndërkaq, për Partizanin nuk ndikon direkt në shortin e turit të parë në Ligën e Konferencës, por në shortin e turit të dytë. Të kuqtë, falë koeficientit që kanë, aktualisht e kanë të garantuar që do të jenë në vazon e skuadrave të mira si në shortin e turit të parë, ashtu edhe në turin e dytë, nëse kalojnë te ai. Por situata ndryshon me fitoren e Borusia Dortmund, pasi nëse gjermanët bëjnë të tyrin trofeun, zhvendosja e ekipeve që vjen si pasojë e këtij suksesi të tyre, bën që Partizani të zbresë në vazon e ekipeve të dobëta në turin e dytë. Kësisoj, edhe për të kuqtë, një fitore e Realit sot bëhet mëse e rëndësishme për një ecuri të mundshme më të lehtë në kompeticionet europiane.