SPORT, 9 Shkurt 2025, 16:26

Barazim në derbin e kaosit, Partizani shmang humbjen ndaj Tiranës me një gol në fund

Barazim në derbin e kaosit, Partizani shmang humbjen ndaj Tiranës me

Mbyllet pa fitues derbi i kryeqytetit mes Partizanit e Tiranës. Një sfidë emocionuese plot tension, incidente si para, po ashtu edhe në fund të sfidës, por në fund Partizani i rrëmben nga duart fitoren skuadrës së Tiranës.

Ndeshja nisi 30 minuta me vonesë, për shkak të vonesës në mbërritjen në stadiumin “Arena e Demave” të skuadrës së Tiranës. Ndërkohë nuk munguan as incidentet para nisjes së derbit, teksa tifozët nisën të përlesheshin me njëti tjetrin, aty ku u desh ndërhyrja e policisë për të mos lejuar agravimin më tej të situatës. Megjithatë nga burime të News 24 bëjnë me dije se janë lënduar edhe 3 efektivë policie, të cilët janë shoqëruar drejt Spitalit të Traumës, me njërin prej tyre madje në gjendje të rëndë.

Sfida nisi e ekuilibruar me të dyja skuadrat që studiuan njëra tjetrën në 15 minutat e para. Për të parë rastin e parë të rrezikshë do duhet të vinte minuta e 16 me sulmuesin e të kuqve Bintsouka që depërtoi nga emajta goditi portën, por Selmani devijoi në këndore.

Por Tirana do të ndëshkojë në mundësinë e parë që i paraqitet para portës së Qirkos. Një rivënie e gjatë me duar në zonë në minutën e 28 i vjen brenda zonës sulmuesi Emmanuel Erneset që e stopon mirë topin me gjoks dhe me një kthesë të menjëhershme ndal topin në rrjetë, duke befasuar të kuqtë, për golin e zhbllokimit të rezultatit. Goli i dytë në kampionat për sulmuesin liberian dhe i 3 në total me fanellën bardheblu.

Partizani tenton reagimin menjëherë. Në të 36 minutë Taipi provon nga një goditje dënimi të gjejë portën e Selmanit, por tentativa e tij ndalet pak centimetra mbi kuadrat.

Në të 40 Tirana i afrohet golit të dytë, teksa me kokë Zharmouni godet dhe rrezikon të shënojë, por Qirko shpëton portën e të kuqve me një pritje mjaft të bukur. Tirana shkon në pushimin mes pjesëve në avantazh.

Në pjesën e dytë tek Partizani mungun idetë, ndërkohë që Tirana, jo vetëm u mundua të administronte avantazhin por pati edhe mundësi të tjera shënimi. Në të 59 Ernest pati shansin për të gjetur golin e dytë, por i vetëm me Qirkon përballë godet keq me të majtën me topin që shkon larg kuadratit. Janjeva provon nga jashtë zone në të 74 për të besuarit e Veslinoviç, por goditja e tij potente ndalet nga Selmani.
8 minuta nga fundi edhe Mando do të tentojë portën e bardhebluve nga distanca, por trajektorja e futbollistit sirian nuk shkon në kuadrat.

Në minutën e 89 do të vinte edhe rasti më i mirë për të barazuar rrezultatin, me Bintsuka që do godiste shtyllën pingule, ndërsa me aksionin që do vijonte Janjeva do të ndalej nga Selmani. Por në goditjen nga këndi Partizani do të gjente më në fund barazimin, me Sembene që kërcen mbi të gjithë dhe me kokë e ndal topin në fundin e rrjetës. Festa e golit të Partizanit solli edhe përplasje në fund mes lojtarëve të të dyja skuadrave , me gjyqtarin Hamiti, që u detyrua të largonte me kartona të kuq 4 futbollistë Taipin, Gudjufin dhe Bytyçin tek Partizani si dhe Marku, Gjumsin e Micin tek bardheblutë.