TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Timo Verner, Ferran Torres, Rahim Sterling, Hakim Zijeç, Antoni Marsial e sa e sa të tjerë. Të gjithë këta emra janë në listën e objektivave të Barcelonës për merkaton e janarit.
Por, lojtari që ka më shumë gjasa t’i bashkohet ekipit të Ksavit në dimër është ai i Edinson Kavanit. Shumë shpejt ai mund të veshë fanellën e Barcelonës dhe të zëvendësojë Serxho Agueron, i cili pritet që shumë shpejt t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur.
AGUERO – Gjithçka lidhet në fakt me të ardhmen e Serxho Agueros. Argjentinasi, sipas të gjitha gjasave, e ka mbyllur me futbollin e luajtur. Problemet me aritminë e kanë detyruar atë të qëndrojë pushim për të paktën 3 muaj, por gjasat janë që sulmuesi argjentinas të mos zbresë më në fushë. Në rast se Aguero do të zyrtarizonte tërheqjen e tij, atëherë Barcelona do të rikuperonte 12 milionë euro që është dhe paga e tij. Këtë shumë klubi mund ta përdorë për të tjera investime.
VARIANTET – E nëse Kun Aguero nuk do të jetë gati për të luajtur, Barcelona e ka bërë gati planin e saj. Përtej dëshirave të mëdha, opsioni i parë dhe më i realizueshmi në praktikë është afrimi i sulmuesit të Mançester Junajtidit, Edinson Kavani. Lajmi është bërë me dije nga gazeta britanike “The Times”.
Sipas saj, është e qartë që Kavani nuk do të rinovojë me “Djajtë e Kuq”. Madje, ai i ka kërkuar agjentit të tij të bëjë gjithçka për ta çuar te Barcelona. Vetë sulmuesi në më shumë se një rast e ka shfaqur hapur dëshirën e tij për të luajtur me Barcelonën. Dy janë variantet që ai t’i bashkohet Barçës.
Nëse klubi katalanas do të presë deri në qershorin e ardhshëm, uruguaiani do të vinte me parametra zero. Por, Barcelonës, në fakt, i nevojitet tani dhe mund të shkojë për variantin e dytë, atë të afrimit të Kavanit që në janar, duke i paguar një çmim më të ulët Mançester Junajtidit.
Ndërkaq, gazeta spanjolle “Sport” ka bërë me dije se Kavani mund të mos jetë emri i vetëm në janar, pasi klubi mund të bëjë edhe një goditje të dytë.