BOTA, 5 October 2026, 20:52

Shërbimi sekret: Gjermania drejt konflikti të dhunshëm me Rusinë, Estonia nis trupat në kufi

Shërbimi sekret: Gjermania drejt konflikti të dhunshëm me

Gjermania përballet me një rrezik në rritje për t’u përfshirë në një “konflikt të dhunshëm” me Rusinë: Paralajmërimi vjen nga vetë kreu i Shërbimit Federal të Inteligjencës gjermane, Martin Jaeger, i cili foli gjatë një seance publike të Komisionit Parlamentar për Kontrollin e Shërbimeve Sekrete në Bundestag.

“Përballja me Rusinë ka hyrë në një dimension të ri dhe më të rrezikshëm”, deklaroi ai, duke theksuar se tentativa për atentat në Lajpcig është vetëm një nga shembujt e kërcënimeve me të cilat përballet vendi.

Kreu i inteligjencës së jashtme gjermane theksoi se aktualisht Moska përbën kërcënimin më të drejtpërdrejtë, të gjerë dhe konkret për Gjermaninë.

Jaeger paralajmëroi gjithashtu se shërbimet sekrete ruse po veprojnë “me profesionalizëm të madh dhe pa skrupuj”. Sipas tij, rreziku për sulme ndaj objektivave në territorin gjerman mbetet real dhe i menjëhershëm.

Ndërkohë, mediat e huaja përcjellin njoftimin se Estonia po zhvendos një nga brigadat kryesore të ushtrisë saj drejt Jõhvi-t, rreth 50 kilometra nga kufiri me Rusinë. Vendi baltik duket se po përgatitet për një skenar të mundshëm agresioni nga ana e Moskës.

Vendi ka miratuar strategjinë e “mbrojtjes aktive”, që synon të ndalojë një sulm që në fazat e para. Krahas forcimit të trupave pranë kufirit, Estonia po ndërton një bazë të re në Narvë dhe po rrit ndjeshëm kapacitetet e goditjes me rreze të gjatë veprimi, përfshirë sistemet HIMARS dhe Chunmoo.