BOTA, 19 September 2026, 10:22

Sërish “përqafim dhe dashuri” mes Zelenskyt dhe Vuçiçit: Diskutuam integrimin në BE dhe sulmet ruse

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të Samitit të Tetëshes së Karpateve.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Zelensky shprehet se e vlerëson pjesëmarrjen e Serbisë në këtë format dhe thekson rëndësinë e krijimit të mundësive ekonomike dhe të sigurisë për vendet e rajonit.

“U takova me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Samitin e Tetëshes së Karpateve. Jam mirënjohës që Serbia i është bashkuar këtij formati”, shkruan Zelensky.

Sipas tij, gjatë takimit me Vuçiçin u diskutuan edhe marrëveshjet e arritura gjatë vizitës së tij në Beograd.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua integrimit evropian të Ukrainës dhe Serbisë, si edhe situatës së krijuar nga sulmet ruse ndaj Ukrainës.

“Diskutuam në detaje integrimin evropian të Ukrainës dhe Serbisë dhe situatën me sulmet ruse. Do të vazhdojmë dialogun tonë dypalësh”, deklaron presidenti ukrainas.

Takimi mes dy presidentëve u zhvillua gjatë samitit të parë të formatit të ri “Carpathian Eight”, i cili bashkon Ukrainën, Serbinë, Rumaninë, Poloninë, Sllovakinë, Çekinë, Austrinë dhe Hungarinë.

Formati synon të krijojë një kuadër të përbashkët për bashkëpunimin rajonal, veçanërisht në fushat e sigurisë, energjisë, logjistikës dhe zhvillimit ekonomik.

Zelensky bëri të ditur gjithashtu se gjatë ditës do të marrë pjesë, së bashku me liderët e tjerë, në Forumin e parë Ekonomik të Karpateve, i cili synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për investime në rajon.

Forumi ka mbledhur përfaqësues të qeverive, biznesit dhe investitorëve, ndërsa në fokus janë sektorë të tillë si energjia, industria, teknologjia, transporti, infrastruktura, bujqësia dhe shëndetësia.

Samiti i Tetëshes së Karpateve zhvillohet në Ukrainën perëndimore dhe përbën takimin e parë të këtij formati, i cili synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit në çështjet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit ndërkufitar.

Statusi i plot i Zelenskyt:

U takova me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Samitin e Tetëshes së Karpateve. Jam mirënjohës që Serbia i është bashkuar këtij formati.

Është e rëndësishme ta zhvillojmë atë në një mënyrë që t’i mundësojë çdo vendi të rajonit të gjejë mundësitë ekonomike dhe të sigurisë që i nevojiten. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta realizuar këtë dhe sot, së bashku me liderët e tjerë, do të marr pjesë gjithashtu në Forumin e parë të Biznesit të Karpateve.

Me zotin President diskutova marrëveshjet e arritura gjatë vizitës sime në Beograd. Folëm në detaje për integrimin evropian të Ukrainës dhe Serbisë, si dhe për situatën lidhur me sulmet ruse.

Do të vazhdojmë dialogun tonë dypalësh.