AKTUALITET, 2 November 2026, 20:00

Reforma në drejtësi, KLGJ kërkon 102 gjyqtarë të rinj për të shkrirë dosjet e prapambetura

Reforma në drejtësi, KLGJ kërkon 102 gjyqtarë të rinj

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka propozuar një zgjerim të ndjeshëm të organikës së gjyqtarëve në Shqipëri, me synimin për të përballuar numrin e lartë të dosjeve të mbartura në gjykata dhe për të shkurtuar kohën e pritjes për drejtësi.

Projektvendimi, i hedhur për konsultim publik, parashikon shtimin e 84 gjyqtarëve të përhershëm dhe krijimin e 18 vendeve rezervë. Me këtë zgjerim, numri i vendeve të përhershme në sistem do të arrinte në 519.

Gjithashtu, për një periudhë nëntëvjeçare, parashikohet angazhimi i 9 gjyqtarëve shtesë në Gjykatën e Lartë, me qëllim trajtimin e çështjeve të prapambetura.

Pjesa më e madhe e vendeve të reja do t’u përkasë gjykatave të shkallës së parë, me 64 pozicione shtesë, ndërsa 20 vende të tjera do të shpërndahen në gjykatat e apelit. Rritja më e madhe parashikohet në Tiranë, Durrës, Fier dhe në gjykatat administrative.

Sipas planit, plotësimi i organikës së re do të bëhet gradualisht deri në vitin 2030, kryesisht përmes prurjeve nga Shkolla e Magjistraturës. Ndërkohë, gjyqtarët rezervë do të shërbejnë për të zëvendësuar vakancat që krijohen kur magjistratët angazhohen në institucione të tjera.

Propozimi përfshin gjithashtu shtimin e stafit administrativ dhe investime në infrastrukturën e gjykatave. Kostoja financiare e këtij plani llogaritet në rreth 14 milionë euro në vit.

Megjithatë, zbatimi i tij mbetet një sfidë, pasi aktualisht në sistem janë efektivisht në detyrë vetëm 309 gjyqtarë, nga 417 vende të parashikuara në organikën ekzistuese. Kjo për shkak të vakancave dhe mungesës së emërimeve të reja.

Në dokumentin që shoqëron projektvendimin, KLGJ propozon shpërndarjen e 44 vendeve shtesë në juridiksionin e përgjithshëm, konkretisht 18 në Tiranë, 6 në Durrës, 5 në Elbasan, 6 në Fier, 3 në Korçë, 3 në Shkodër dhe 3 në Vlorë.

Për juridiksionin administrativ propozohet shtimi me 18 vende, ku 16 prej tyre i caktohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe 2 Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë. Ndërsa në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar propozohet shtimi me 2 vende.

Studimi evidenton gjithashtu nevojën për një kapacitet shtesë prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë, për një mandat të vetëm, të parinovueshëm dhe të lidhur me trajtimin e një kategorie të përcaktuar çështjesh. Kjo masë synon të kontribuojë në reduktimin e stokut të akumuluar në këtë gjykatë.

Sa i përket stafit mbështetës, propozohet një minimum planifikimi prej 336 punonjësish jogjyqtarë për 102 vendet e përhershme, si dhe 56 punonjës për paketën e përkohshme prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë.

Gjithashtu, studimi thekson se shtimi i pozicioneve të reja duhet të shoqërohet me sigurimin e infrastrukturës së nevojshme ndërtimore dhe teknologjike, në mënyrë që gjykatat të funksionojnë në mënyrë efektive.

Për këtë qëllim, rekomandohet hartimi i një plani të posaçëm investimesh, thuhet në dokumentin që propozon projektvendimin.

Reforma në drejtësi, KLGJ kërkon 102 gjyqtarë të rinj