AKTUALITET, 1 Qershor 2018, 19:10

Maturanti kishte mbetur në klasë nga mungesat, veprimi i hakmarrjes e futi në të tjera telashe

Maturanti kishte mbetur në klasë nga mungesat, veprimi i hakmarrjes e

Rrezikonte të mos përfundonte shkollën e mesme këtë vit pasi kishte ngelur, maturanti tenton të gjejë “zgjidhje” duke vjedhur regjistrat e shkollës. 17-vjeçari K. Ç. ishte përsëritës për shkak të numrit të madh të mungesave dhe në shenjë rebelimi ndaj mësuesve të tij, duke cenuar kështu punën e kryer nga nxënësit dhe arsimtarët përgjatë këtij viti shkollor, ka vjedhur regjistrat në shkollën e mesme në Bilisht.

Maturanti kishte plotësuar numrin e mungesave të pajustifikuara dhe për këtë arsye do të duhej të përsëriste vitin shkollor, ndaj ai ka gjetur një zgjidhje alternative, por kjo tentativë ka dështuar.

Sipas të dhënave të Policisë, ka nisur procedimi penal ndaj adoleshentit, banues në Bilisht, pasi ai dyshohet të jetë autor i vjedhjes së regjistrave të maturës së shkollës së mesme në Bilisht, ngjarje e ndodhur gjatë natës, të cilët më pas iu gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet hetimore të kryera, shtetasi K.Ç rezulton ngelës në këtë vit shkollor. Mësohet se pasi i ka marrë regjistrat, 17- vjeçari i ka fshehur poshtë një peme. E kur është zbuluar se ishte ai personi përgjegjës për vjedhjen, i riu ka deklaruar se rrezikonte të humbiste një vit shkollor për shkak të mungesave të pajustifikuara që kishte kryer.

Kjo ka qenë edhe arsyeja që e ka shtyrë atë për të vjedhur regjistrat, pasi në këtë mënyrë mësuesit nuk do të kishin mundësi të pasqyronin mungesat e kryera nga ai gjatë vitit.

Pas denoncimit nga ana e shkollës për humbjen e regjistrave, Policia ka mundur të zbulojë personin që i kishte përvetësuar ato dhe ta vendosë para përgjegjësisë. Çështja i ka kaluar tashmë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Korçës, ndërsa mësohet se adoleshenti do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë.

Pas marrjes në pyetje, vetë i riu ka pranuar se ishte autori i vjedhjes së regjistrave dhe më pas ka treguar dhe vendin ku i kishte fshehur ata.

“Më datë 31.05.2018, specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Devoll, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit: K.Ç, 17 vjeç, banues në Bilisht. Pasi shtetasi i më- sipërm dyshohet të jetë autor i vjedhjes së regjistrave të maturës së shkollës së mesme në Bilisht, ngjarje e ndodhur gjatë natës, të cilët më pas iu gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale këtij të fundit. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Vjedhja””, thuhej në njoftimin e Policisë.