BOTA, 27 September 2026, 19:46

Magyar sulmohet me vezë gjatë fushatës në Hungari, autori: Më vjen keq që nuk e godita në kokë

Një incident i tensionuar ka ndërprerë fjalimin e kryeministrit hungarez Péter Magyar gjatë një aktiviteti elektoral në qytetin e Szolnokut, ku një burrë nga turma tentoi ta godiste me vezë.

Ngjarja ndodhi më 26 shtator, teksa Magyar po mbante fjalim në kuadër të turit të tij nëpër Hungari. Veza u hodh nga turma në drejtim të skenës, por nuk e goditi politikanin dhe përfundoi mes njerëzve të pranishëm.

Pas incidentit, burri u ndalua nga persona me rroba civile. Në pamjet e publikuara nga Kontroll shihet se fillimisht dy persona, e më pas katër, përpiqen ta neutralizojnë atë. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për persona të autoriteteve, ndërsa i dyshuari rezistoi për një moment para se të shtrihej në tokë.

Kur gazetarët e pyetën se pse kishte tentuar ta godiste Magyarin, burri u përgjigj: “Më vjen keq që nuk e godita në kokë”, transmeton Telegrafi.

Më vonë, policia e mori në pyetje dhe e liroi 51-vjeçarin, duke e trajtuar rastin si shkelje të rendit dhe prishje të qetësisë publike.

Ky nuk është incidenti i parë ndaj Magyarit gjatë turit të tij politik. Vetëm një javë më parë, gjatë Festivalit të Vjeljes në Szekszárd, një burrë i hodhi verë politikanit ndërsa ai ndodhej pranë një stende.

Magyar reagoi edhe ndaj incidentit të fundit duke u bërë thirrje mbështetësve të tij të mos përshkallëzonin situatën. Në fjalimin e tij në Szolnok, ai tha se njerëzit nuk duhet të përballen me njëri-tjetrin si kundërshtarë, pavarësisht dallimeve politike.

Incidenti ndodhi në një periudhë të tensionuar të politikës hungareze, ndërsa Magyar dhe qeveria e tij përballen me debate të forta për politikat ekonomike, energjetike dhe marrëdhëniet me Ukrainën.

Në Szolnok, Magyar deklaroi gjithashtu se nën qeverinë e tij nuk do të ndërtohet një fabrikë elektroliti në qytet, ndërsa aktiviteti u shoqërua edhe me protesta të vogla nga kundërshtarët e industrisë së baterive.

Ngjarja me vezën është bërë pjesë e një serie incidentesh gjatë daljeve publike të Magyarit, duke shtuar tensionin rreth turit të tij elektoral në qytete të ndryshme të Hungarisë.