AKTUALITET, 10 Mars 2020, 14:42

Koronavirusi, propozimi i Metës: Të angazhohen edhe mjekët që janë jashtë shërbimit aktiv shëndetësor

Koronavirusi, propozimi i Metës: Të angazhohen edhe mjekët

Presidenti Ilir Meta ka shpërndarë sot një reagim të profesorit të njohur Isuf Kalo, i cili kërkonte nga qytetarët që të ruanin qetësinë përballë koronavirusit. Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkruan se përballimi i situatës në këto momente bëhet me përfshirjen e profesorëve më të mirë që janë dhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor.

Kjo deklaratë e Kreut të Shtetit është një thirrje për qeverinë, për të marrë të gjithë mjekët, pasi sipas tij bashkimi bën fuqinë.

“Përballimi me sukses dhe përgjegjshmëri, kërkon pikërisht përfshirjen e profesionistëve më të mirë të vendit edhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor. BASHKIMI BËN FUQINË! ??”, shkruan Meta.

Numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri ka shkuar në 10 dhe numri i ekzaminimeve në 114.