BOTA, 17 July 2026, 09:44

Konflikti/ SHBA godet Iranin. Raketat iraniane, alarm në Kuvajt dhe Bahrein, shpërthime në Katar. Goditet një qendër komande në Siri

Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është përshkallëzuar më tej, pasi forcat amerikane ndërmorën për natën e gjashtë radhazi një seri sulmesh ajrore ndaj objektivave iraniane, kryesisht në zonat pranë Ngushticës së Hormuzit.

Sipas mediave iraniane dhe ndërkombëtare, shpërthime të fuqishme u raportuan në portin e Bandar Abbasit, ku u godit edhe një kullë telekomunikacioni, si dhe në qytetet Ahvaz, Bushehr – ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor i Iranit – dhe Shirik. Një tjetër sulm goditi aeroportin Iransar në juglindje të vendit, ndërsa dy ura në jug të Iranit u shkatërruan.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se nga sulmet amerikane humbën jetën dy persona dhe tetë të tjerë mbetën të plagosur.

Alarm në Kuvajt dhe Bahrein

Tensionet u përhapën edhe në vendet fqinje të Gjirit Persik. Ushtria e Kuvajtit njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore janë vendosur në gjendje gatishmërie për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga raketat dhe dronët.

Autoritetet sqaruan se zhurmat e forta të dëgjuara në disa zona të vendit ishin rezultat i operacioneve të mbrojtjes ajrore për neutralizimin e objektivave ajrore.

Sirenat e alarmit u aktivizuan edhe në Bahrein. Ministria e Brendshme u bëri thirrje qytetarëve dhe banorëve të ruanin qetësinë dhe të drejtoheshin në vendet më të afërta të sigurta.

Mediat shtetërore iraniane raportuan se ushtria e Republikës Islamike kishte shënjestruar helikopterë dhe avionë amerikanë në një bazë ajrore në Bahrein, duke e cilësuar këtë si një kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane mbi territorin iranian.

Shpërthime edhe në Katar

Shpërthime të forta u raportuan edhe në Doha, kryeqytetin e Katarit, sipas dëshmive të publikuara nga agjencitë e lajmeve.

Autoritetet e Katarit dërguan fillimisht një alarm sigurie në telefonat celularë të qytetarëve, duke paralajmëruar për një kërcënim të mundshëm. Pak minuta më vonë, një njoftim i dytë zyrtar bëri të ditur se kërcënimi ishte eliminuar dhe se situata ishte rikthyer në normalitet.

Përshkallëzimi i fundit rrit ndjeshëm shqetësimet për zgjerimin e konfliktit në të gjithë rajonin e Gjirit Persik, një zonë me rëndësi strategjike për tregtinë globale të naftës dhe sigurinë ndërkombëtare.

Irani godet objektivat amerikane në rajon pas sulmeve të SHBA, godet edhe një qendër komande në Siri

Irani tha se nisi sulme të reja ndaj objekteve amerikane në Lindjen e Mesme të premten, përfshirë sulmin e parë të drejtpërdrejtë në Siri, pas një nate të gjashtë radhazi sulmesh amerikane ndaj objekteve ushtarake iraniane.

Ushtria amerikane deklaroi se kryer sërish sulme ndaj Iranit “për të degraduar më tej aftësitë ushtarake iraniane”, duke përfshirë ishullin Qeshm dhe pranë Bandar Abbas, ku ndodhet porti më i madh i Iranit, si dhe objektet kryesore detare dhe të Gardës Revolucionare.

“Forcat amerikane, duke përfshirë avionë luftarakë, dronë ajrorë dhe anije luftarake, nisën municione precize që goditën dhjetëra objektiva ushtarake iraniane, të tilla si vende mbikëqyrjeje bregdetare dhe mbrojtjeje ajrore, infrastrukturë logjistike ushtarake dhe aftësi detare”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së.

Irani ka qëlluar me raketa dhe dronë bazat ushtarake amerikane në shtetet fqinje, përfshirë një bazë ajrore në Jordani. Herët të premten, ushtria iraniane tha se kishte sulmuar objektet amerikane në Bahrein dhe Kuvajt.

Mediat shtetërore të Iranit thanë se Garda Revolucionare kishte sulmuar një qendër komande të operacioneve speciale amerikane në al-Tanf të Sirisë në hakmarrje për vrasjen e ushtarëve iranianë në Iranshahr.

Ky shënon sulmin e parë të drejtpërdrejtë nga Irani ndaj Sirisë, e cila është përpjekur të shmangë përfshirjen në një konflikt që ka përfshirë vendet fqinje.