AKTUALITET, 18 Qershor 2020, 13:48

Këshilli Politik mblidhet sërish sot më 17:00, ku ka ngecur debati

Këshilli Politik mblidhet sërish sot më 17:00, ku ka ngecur


Grupi negociator i Këshillit Politik pritet të mblidhet sot në orën 17:00.

Mbledhja vjen pas propozimit të Partisë Demokratike për formulën e zgjedhjes së KQZ. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama tha sot në Kuvend, se PD duhet të bindet se nuk ka për të marrë asgjë më tepër sesa marrëveshja, që siç tha ai është në fije të perit.

Palët arritën një marrëveshje më 6 qershor me bekimin e ndërkombëtarëve.

Kjo marrëveshje do të lejë të pandryshuar administratën Zgjedhore deri në dy palë zgjedhje, ndërsa më 2021, zgjedhjet do të jenë për herë të parë edhe me identifikim biometrik.

Ndërkaq debati ka ngecur në dy fronte; I pari, opozita e re, që kërkon heqjen e koalicioneve, lista të hapura dhe votën e emigrantëve për të dhënë OK në Parlament për marrëveshjen, ndërsa vetë Këshilli Politik që nuk gjen dakordësi për të përmbyllur draftin e Reformës.

Dje, PD kërkoi që të ishte Avokati i Popullit që të zgjidhte trupën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por kjo kërkesë u përjashtua kategorikisht nga PS. Sot, opozita ka dalë me një propozim të ri që është zgjedhja e KQZ-së nga Kuvendi.