TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një zyrtar izraelit ka deklaruar se një raund i ri sulmesh kundër Iranit është vetëm çështje kohe, duke u shprehur se Teherani po nxiton të riaktivizojë dhe të fortifikojë programin e tij bërthamor nga frika e një goditjeje të mundshme.
Burimi i paidentifikuar tha për median Al-Hadath se Izraeli ka pikërisht në shënjestër punimet intensivizuese në zonën e njohur si “Mali i Kazmës”, afër kompleksit bërthamor të Natanzit. Lajmi konfirmohet edhe nga vëzhguesit e OKB-së për energjinë bërthamore, të cilët kanë vërejtur aktivitet ndërtimi në këtë zonë ku inteligjenca perëndimore dyshon se mund të mbahen materiale bërthamore.
Zyrtari izraelit nënvizoi se vendi i tij do të godasë përsëri nëse Irani kalon “vijat e kuqe”, qoftë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara apo vetëm, duke shtuar se Izraeli është i gatshëm për luftime në çdo moment.
Pavarësisht se koordinimi me Uashingtonin mbetet i fortë, burimi u shpreh skeptik se bisedimet dypalëshe mund të sjellin një marrëveshje. Bisedimet e tërthorta mes SHBA-së dhe Iranit u mbajtën së fundmi gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku Presidenti Donald Trump i cilësoi ato si mjaft pozitive, ndonëse Izraeli nuk ka qenë i përfaqësuar në këto negociata.
Nga ana tjetër, presioni ekonomik mbi Teheranin po rritet ndjeshëm. SHBA zgjeroi sanksionet dytësore ndaj Iranit, çka u përshkrua nga Sekretari i Thesarit Scott Bessent si një operacion masiv ekonomik për të ndërprerë çdo burim financiar të regjimit.
Si pasojë e këtyre sanksioneve të reja, linjat ajrore iraniane po përballen me bllokime të menjëhershme. Vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Omani, Iraku dhe Katari kanë pezulluar apo kufizuar fluturimet me Iranin pasi kompanitë që u ofrojnë shërbime linjave iraniane rrezikojnë të ndëshkohen nga Uashingtoni.
Marrëdhëniet mbeten të tensionuara, ndërsa zyrtari izraelit paralajmëroi se problemet e brendshme ekonomike dhe përçarjet politike në Iran mund ta shtyjnë regjimin e Teheranit drejt reagimeve ushtarake në rajon. Ai përfundoi se garancia e vetme për të parandaluar një Iran bërthamor mbetet rrëzimi i regjimit aktual, një objektiv ky që u deklarua gjatë fushatës ushtarake të përbashkët SHBA-Izrael por që nuk u arrit dot.