TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kancelari gjerman Friedrich Merz e mbrojti me forcë rritjen e ndjeshme të shpenzimeve për mbrojtjen dhe modernizimin e Bundesëehr-it.
Në një intervistë për transmetuesin publik ARD, Merz kundërshtoi idenë e shkurtimit të shpenzimeve për mbrojtjen dhe të projekteve të reja të armatimit, edhe nëse kjo do të krijonte më shumë hapësirë financiare për qytetarët.
“Çfarë vlere ka edhe pagesa më e mirë për prindërit, nëse humbasim lirinë tonë dhe rrezikohet paqja në Europë?”, tha kreu i ekzekutivit, duke shtuar se garantimi i lirisë dhe paqes duhet të mbetet “prioritet kryesor”, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të krijohen kushtet për zhvillim ekonomik në vend.
Merz kritikoi politikat e qeverive të mëparshme, duke thënë se Gjermania duhet të korrigjojë mangësitë e krijuara gjatë 15 viteve të fundit në fushën e mbrojtjes. “Bundesëehri nuk është aty ku duhet të jetë. Ne duhet të jemi në gjendje të mbrohemi në Gjermani”, ishte komenti i tij, edhe pse sërish theksoi se modernizimi i ushtrisë duhet të bëhet në mënyrë më efikase dhe me kosto më të ulëta.
Si shembull, Merz përmendi bashkëpunimin me Ukrainën, i cili, sipas tij, tregon se pajisjet ushtarake mund të prodhohen në mënyrë më ekonomike. Kancelari u pyet edhe për incidentin e 4 gushtit në aeroportin e Leipzigut, ku një dron i pajisur me eksploziv dhe me origjinë ende të panjohur u rrëzua pranë avionëve transportues ukrainas.
Merz tha se qeveria federale do të reagojë “në ditët në vijim”, duke shtuar se përgjigjja do të koordinohet me Bashkimin Evropian dhe partnerët e NATO-s.