BOTA, 23 September 2026, 16:37

El Niño në nivele rekord, mbi 450 mijë vdekje të parashikuara nga nxehtësia, ja vendet më të rrezikuara

Një fenomen i fuqishëm El Niño pritet të sjellë temperatura ekstreme në shumë pjesë të botës, ndërsa shkencëtarët parashikojnë rreth 451 mijë vdekje shtesë nga nxehtësia gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, nga shtatori 2026 deri në shkurt 2027. 

Sipas vlerësimeve, vendet që pritet të preken më rëndë janë Nigeria, Indonezia, Sudani, India dhe Brazili. Edhe Shtetet e Bashkuara pritet të përballen me rreth 3,500 vdekje shtesë të lidhura me temperaturat e larta.

Rreziku nuk lidhet vetëm me temperaturat. El Niño mund të shkaktojë gjithashtu thatësira, zjarre, përmbytje dhe probleme me furnizimin ushqimor. Programi Botëror i Ushqimit ka paralajmëruar se pasojat e fenomenit mund të shtyjnë rreth 50 milionë njerëz drejt urisë akute dhe të ndikojnë në rritjen e çmimeve të ushqimeve. 

Studiuesit theksojnë se ky El Niño po shfaqet në një planet tashmë më të ngrohtë për shkak të ndryshimeve klimatike. Vlerësimet për 451 mijë vdekje janë bërë duke analizuar lidhjen mes temperaturave dhe vdekjeve shtesë në 24,378 rajone të botës, të kombinuara me parashikimet e temperaturave për muajt në vijim. Raporti ende nuk është shqyrtuar nga ekspertë të tjerë përmes procesit të rishikimit shkencor. 

Shkencëtarët paralajmërojnë se masat e hershme, si parashikimet më të sakta për valët e të nxehtit, qendrat e freskimit dhe forcimi i shërbimeve shëndetësore gjatë periudhave ekstreme, mund të ndihmojnë në uljen e pasojave.