AKTUALITET, 25 Qershor 2020, 16:39

"Çmenden" britanikët! Dynden drejt plazheve prej temperaturave të larta, injorojnë distancimin social

"Çmenden" britanikët! Dynden drejt plazheve prej

Temperaturat mjaft të larta dhe të pazakonta në Britani, të cilat kanë arritur deri në 30 gradë, kanë bërë që shumë qytetarë të dynden drejt plazheve, duke mos respektuar rregullat e distancimit social.

Fotografi të shumta janë publikuar nga plazhet në Bournemouth, ku duket një prezencë mjaft e madhe e qytetarëve, të cilët qëndrojnë pranë njëri tjetrit, duke mos u shqetësuar aspak për Covid-19.

Kryetarja e Bashkisë të Bournemouth, Christchurch dhe Poole, ka shpallur gjendjen e një "incidenti madhor" dhe ka nisur të marrë masa për situatën.

"Jemi të detyruar të deklarojmë gjendjen e një incidenti madhor dhe të nisim një aksion emergjent", tha Vikki Slade.

Pak ditë më parë, kryeministri Boris Johnson, deklaroi se Britania do të rikthehet në normalitet, duke lejuar hapjen e restoranteve, kafeneve dhe pabeve që prej datës 4 Korrik.

Megjithatë, Johnson bëri thirrje që qytetarët të vijojnë të respektojnë rregullat e distancimit social, thirrje kjo që nuk është ndjekur nga një numër i madh qytetarësh, që janë dyndur drejt plazheve.

/TPZ.al/