BOTA, 17 Gusht 2025, 21:09

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse shpërthen ndaj Macron: Gënjeshtër e ulët! Franca po e shtyn Kievin drejt shkatërrimit

Me tone të ashpra ka reaguar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ndaj deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron, i cili tha se Rusia po i ofron Ukrainës kapitullim dhe jo paqe.

Zakharova i cilësoi fjalët e Macron si “gënjeshtër e ulët” dhe akuzoi Parisin se po e çon Kievin drejt shkatërrimit.

“Çfarë gënjeshtre e turpshme! Rusia po propozon prej shtatë vitesh një zgjidhje paqësore për krizën e brendshme ukrainase, sipas marrëveshjeve të Minskut!”, shkroi Zakharova në një postim të saj.

Ajo kujtoi se kanë qenë politikanët francezë ata që, sipas saj, “nxitën mercenarët ukrainas të organizonin ‘Majdanin’ dhe të kryenin grusht shteti”, duke minuar paqen dhe sigurinë në rajon.

Zëdhënësja ruse iu referua edhe një deklarate të ish-presidentit francez François Hollande, i cili më 2023 pranoi se marrëveshjet e Minskut kishin si qëllim t’i jepnin kohë Ukrainës të përgatitej për luftë.

Sipas Zakharovas, kapitullimi i vërtetë i Ukrainës është propozuar nga ata që për vite me radhë i kanë ushqyer Kievit iluzionin e “fitores në fushën e betejës”, ndonëse e dinin që kjo ishte e pamundur.

Në fund të deklaratës së saj, ajo e emëroi fajtorin kryesor për këtë situatë: “Ndër ta, para së gjithash, vetë Macron.”