BOTA, 26 Maj 2026, 19:43

Propozimi për kufizimin e vetos për vendet e reja anëtare të BE-së, “The Guardian”: Mekanizëm për të shmangur bllokimin e vendimmarrjeve

Propozimi për kufizimin e vetos për vendet e reja anëtare të

Bashkimi Evropian mund t’u mohojë për disa vite të drejtën e vetos shteteve të ardhshme anëtare, në një përpjekje për ta bërë më të pranueshëm politikisht procesin e zgjerimit, ndërsa blloku po shtyn përpara një plan për të pranuar vende të reja deri në fund të kësaj dekade.

Sipas planeve që po shqyrtohen nga Komisioni Evropian, shtetet kandidate për anëtarësim, si Moldavia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk do të kishin, në momentin e anëtarësimit në BE, të drejtën automatike të vetos për vendimet e politikës së jashtme apo çështje të tjera që kërkojnë unanimitet, si taksimi, raporton “The Guardian”.

Ideja lidhet veçanërisht me Malin e Zi, i cili konsiderohet kandidati kryesor mes nëntë vendeve zyrtare kandidate për në BE. Ish-republika jugosllave me 624,000 banorë synon të bëhet shteti i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028. Këtë muaj, një grup teknik i ngarkuar me hartimin e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi u mblodh për herë të parë, duke sinjalizuar se negociatat 14-vjeçare po hyjnë në fazën përfundimtare.

Në këtë sfond, zyrtarët e BE-së po shqyrtojnë masa mbrojtëse për vendet e reja anëtare, për të parandaluar që vendimmarrja të bllokohet nga një shtet i vetëm, sipas katër burimeve evropiane. Kjo ide u forcua pas përvojës me Hungarinë, ku qeveria e mëparshme pro-ruse e udhëhequr nga Viktor Orbán bllokoi disa vendime të rëndësishme të BE-së, përfshirë një hua prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.

Një ndalim i përkohshëm i të drejtës së vetos mund të përfshihet në traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi, i cili më pas do të shërbente si model për vendet e tjera kandidate.

Kjo masë konsiderohet juridikisht në kufijtë e lejuar dhe mund të zbatohet vetëm për një periudhë të kufizuar, për të shmangur krijimin e anëtarëve “të klasës së dytë” në BE.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, i dërgoi javën e kaluar një letër liderëve të BE-së duke kërkuar “zgjidhje inovative” për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në letrën ku zgjerimi i BE-së përshkruhet si një “domosdoshmëri gjeopolitike”, Merz propozoi gjithashtu “anëtarësim të asociuar për Ukrainën” si një “hap vendimtar drejt anëtarësimit të plotë”.

Sipas këtij propozimi, Ukraina do të merrte pjesë në mbledhjet e BE-së dhe në institucionet e bllokut, por pa të drejtë vote. Sipas Merz, kjo qasje “reflekton situatën e veçantë të Ukrainës, një vend në luftë” dhe do të “lehtësonte negociatat për paqe”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, e ka kundërshtuar këtë ide, duke deklaruar se: “Vendit të Ukrainës në Bashkimin Evropian duhet të jetë i plotë, i barabartë dhe me të gjitha të drejtat”, pas publikimit të letrës së Merz-it.

Zgjerimi i BE-së kishte mbetur pothuajse në vendnumëro deri në pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, i cili i dha një shtysë të re negociatave me vendet e Lindjes.

Komisioni Evropian deklaroi vitin e kaluar se mund të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030, duke identifikuar Malin e Zi dhe Shqipërinë si vendet kryesuese, ndërsa vlerësoi progresin e shpejtë të Moldavisë dhe sugjeroi se anëtarësimi në BE mund të shërbejë si garanci sigurie për Ukrainën.

Shtyrja e së drejtës së vetos është një nga disa masat mbrojtëse që po diskutohen për ta bërë zgjerimin më të pranueshëm politikisht.

Të gjitha shtetet aktuale anëtare të BE-së duhet të bien dakord unanimisht për pranimin e vendeve të reja. Zyrtarët janë veçanërisht të shqetësuar për ratifikimin në Francë, ku zgjedhjet presidenciale do të mbahen në vitin 2027 dhe ku skepticizmi ndaj zgjerimit të BE-së po rritet, një sondazh i Eurobarometrit tregoi se vetëm 43% e francezëve e mbështesin zgjerimin, ndërsa 48% janë kundër.

Burime të BE-së argumentojnë se nevojitet mendim më kreativ për ta çuar përpara zgjerimin, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, një rajon me 17.4 milionë banorë, ku Rusia dhe Kina po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre.

Një diplomat i BE-së tha se shtyrja e të drejtës së vetos është një nga “zgjidhjet konstruktive” që po shqyrtohen si pjesë e një procesi të “mendimit kreativ” për zgjerimin. Një tjetër diplomat u shpreh: “Ka një debat mbi mënyrën se si të sigurohet që një zgjerim më i madh të jetë i dobishëm si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë BE-në. Idetë për reforma të brendshme dhe elemente të ndryshme të traktateve të anëtarësimit janë pjesë e këtij diskutimi.”

Gjermania ka udhëhequr përpjekjet për reforma të brendshme të BE-së, si heqja e vetos në politikën e jashtme, duke u frikësuar se një Bashkim me mbi 35 vende pa reforma do të paralizohej. Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul deklaroi më herët këtë muaj se “një union me 33, 34 ose 35 shtete anëtare nuk mund të vazhdojë të funksionojë me të njëjtin model që është dizajnuar për një grup shumë më të vogël”.

Megjithatë, ekzekutivi i BE-së shqetësohet se pritja për konsensus mbi reformat institucionale, të cilat mund të kërkojnë ndryshime traktatesh, mund ta shtyjë procesin e zgjerimit në plan të dytë.

Ndër vendet kandidate, Ukraina konsiderohet rast i veçantë për shkak të madhësisë, luftës me Rusinë dhe kostove të mëdha të rindërtimit. Kostoja totale e rindërtimit të Ukrainës është vlerësuar në 588 miliardë dollarë (deri më 21 dhjetor 2025), rreth tre herë më e madhe se ekonomia e saj.

Zyrtarët e BE-së mendojnë se Ukraina mund ta përfundojë teknikisht procesin e anëtarësimit brenda katër vitesh, por momenti i hyrjes mbetet një çështje politike e lidhur me një marrëveshje paqeje.

Engjellushe Morina, studiuese e lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (European Council on Foreign Relations), tha se një kufizim i përkohshëm i vetos “nuk është aq drastik” dhe do të përdorej nga politikanët për të justifikuar zgjerimin.

“Nuk do të habitesha nëse diçka e tillë përfshihet në traktatin e Malit të Zi. Dhe kjo do të shërbente si model për shtetet e tjera kandidate. Kjo është një nga gjërat që politikanët dhe vendimmarrësit do ta paraqesin si: ‘po marrim masa mbrojtëse dhe po veprojmë me kujdes’. Kjo është logjika”, tha ajo.

Sipas saj, ideja shërben edhe për të mbrojtur Bashkimin Evropian nga skenarë ku një shtet i ri anëtar ndryshon drejtim politik pas anëtarësimit, për shembull me zgjedhjen e një qeverie pro-ruse në Mal të Zi. Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare duan ta “mbrojnë unionin nga këto situata hipotetike”.

Një burim nga qeveria malazeze deklaroi se qëllimi i vendit mbetet anëtarësimi i plotë në BE, “me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e një shteti të barabartë anëtar”, duke shtuar se Mali i Zi “nuk kundërshton mekanizmat mbrojtës dhe beson se ata mund të luajnë një rol konstruktiv në sigurimin e qëndrueshmërisë së reformave edhe pas anëtarësimit”.