BOTA, 1 Shtator 2025, 09:22

Tërmet i fortë në Afganistan, raportohet për të paktën 622 të vdekur dhe rreth 1500 të plagosur

Tërmet i fortë në Afganistan, raportohet për të

Një tërmet me magnitudë 6 ballë goditi pjesën lindore të Afganistanit, duke shkaktuar të paktën 622 viktima dhe afro 1.500 të plagosur, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme të talebanëve, Abdul Matin Qani.

Më herët, televizioni shtetëror Radio Television Afghanistan (RTA) raportoi për 500 të vdekur dhe mbi 1.000 të plagosur nga tërmeti i fuqishëm, i cili goditi më së shumti provincat Kunar dhe Nangarhar.

Kjo katastrofë natyrore pritet të përkeqësojë edhe më tej gjendjen në Afganistan, një vend tashmë i zhytur në krizë humanitare për shkak të rënies drastike të ndihmave ndërkombëtare dhe dëbimeve masive të migrantëve afganë nga vendet fqinje.

Pamjet e transmetuara nga Reuters Television tregonin helikopterë që mbërrinin në zonat e goditura, ndërsa banorët ndihmonin ushtarë dhe mjekë për të transportuar të plagosurit drejt autoambulancave.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, tre fshatra janë rrafshuar plotësisht në provincën Kunar, ndërsa dëme të mëdha janë regjistruar edhe në shumë të tjera. Një zyrtar lokal, Najibullah Hanif, tha se ka raportime për 250 të vdekur dhe 500 të plagosur në atë zonë, duke theksuar se shifrat mund të rriten.

Në provincën Khyber Pakhtunkhwa, pranë kufirit me Pakistanin, ekipet e kërkim-shpëtimit po kërkojnë për të mbijetuar nën rrënoja. Shtëpitë e ndërtuara me baltë dhe gurë janë shembur si pasojë e tërmetit.

Sipas Institutit Gjeologjik Amerikan (USGS), epiqendra e tërmetit ndodhej 27 kilometra larg qytetit Jalalabad, kryeqendra e provincës Nangarhar, ndërsa thellësia ishte vetëm 8 kilometra, faktor që ka rritur fuqinë shkatërruese të lëkundjes.

Tërmeti ndodhi gjatë natës dhe u ndje në një rreze të gjerë. Deri tani janë regjistruar pesë pasgoditje, më e forta prej tyre me magnitudë 5.2 ballë.

Gazetarë të AFP raportuan se lëkundjet u ndjenë edhe në Kabul dhe Islamabad, rreth 370 kilometra larg epiqendrës.

Provinca Nangarhar ishte goditur edhe javën e kaluar nga përmbytje të papritura, që morën jetën e pesë personave dhe shkaktuan dëme materiale në zona rurale dhe të banuara.

Afganistani goditet shpesh nga tërmete të fuqishme, sidomos në zonën malore të Hindukushit, ku përplasen pllakat tektonike euroaziatike dhe indiane.

Vetëm në vitin 2024, një seri tërmetesh në perëndim të vendit shkaktuan mbi 1.000 viktima. Si një nga vendet më të varfra në botë, Afganistani mbetet jashtëzakonisht i cenueshëm ndaj fatkeqësive natyrore.