BOTA, 20 Gusht 2025, 22:03

Netanyahu e pranon: Po humbasim mbështetjen e të rinjve në perëndim

Netanyahu e pranon: Po humbasim mbështetjen e të rinjve në

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pranuar se Izraeli ka ende “punë për të bërë” për të fituar mbështetjen e brezit të ri në vendet perëndimore, teksa sondazhet tregojnë një rënie të ndjeshme të mbështetjes, veçanërisht mes të rinjve.

Në një intervistë për podcast-in britanik Triggernometry, Netanyahu u pyet nëse ekziston rreziku që Izraeli të humbasë mbështetjen e qeverive perëndimore kur brezi i Gen Z (të lindurit mes viteve 1997 dhe 2012) të vijë në pushtet. “Nëse po më thoni se ka nevojë për më shumë punë për të fituar brezin Z dhe mbështetjen në Perëndim, atëherë po, është e vërtetë”, tha ai.

Sipas tij, qëndrimet kritike të këtij brezi ndaj Izraelit janë pjesë e një “fushate më të gjerë anti-perëndimore” dhe foli për një “konspiracion të organizuar kundër Izraelit dhe Perëndimit”, pa përmendur se kush qëndron pas tij.

Një sondazh i fundit i Gallup zbuloi se vetëm 6% e amerikanëve të moshës 18-34 vjeç kanë një opinion pozitiv për Netanyahun, ndërsa vetëm 9% mbështesin ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza.

Gjatë intervistës, Netanyahu e cilësoi Donald Trump si “një mik të madh të Izraelit dhe një udhëheqës të shkëlqyer”. Ai shtoi se SHBA-të janë me fat që kanë një lider që, sipas tij, “nuk sillet si liderët europianë” dhe që “nuk dorëzohet përballë këtyre presioneve” – një koment indirekt ndaj vendeve si Franca dhe Britania, të cilat janë shprehur të gatshme të njohin shtetin palestinez.