BOTA, 20 Gusht 2025, 16:27

Trump kërkon dorëheqjen e anëtares së Bordit të Rezervës Federale, pas akuzave për mashtrim hipotekor

Trump kërkon dorëheqjen e anëtares së Bordit të

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërkuar dorëheqjen e anëtares së Bordit të Rezervës Federale (Fed), Lisa Cook, duke iu referuar një kërkese nga drejtori i Agjencisë Federale të Financimit të Banesave (FHFA), Bill Pulte, i cili i ka kërkuar Departamentit të Drejtësisë të nisë hetime ndaj saj për mashtrim të mundshëm hipotekor. Lajmi u raportua fillimisht nga agjencia Reuters.

As Fed dhe as përfaqësuesit e Cook nuk kanë komentuar menjëherë mbi akuzat.

“Cook duhet të japë dorëheqjen, tani!!!”, shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale, duke vazhduar fushatën e tij për të riformatuar përbërjen e bankës qendrore amerikane.

Drejtori i FHFA-së, Bill Pulte, hodhi akuza të rënda ndaj Cook në një postim në platformën X të mërkurën, ku pretendon se ajo ka deklaruar si banesë të parë një apartament në Atlanta, ndërkohë që kishte marrë një kredi për një shtëpi në Michigan, të cilën po ashtu e kishte deklaruar si rezidencë kryesore.

Pulte gjithashtu publikoi një pjesë të letrës që i ka dërguar Prokurores së Përgjithshme të SHBA-së, Pam Bondi, duke theksuar se FHFA është në posedim të dokumentacionit hipotekor të Cook, që përfshin dy kredi të marra në qershor dhe korrik të vitit 2021.

“Ajo duhet të largohet nga detyra, sepse ajo që ka bërë është arsye e mjaftueshme për shkarkim,” shtoi Pulte në një tjetër postim.

Trump ka qenë vazhdimisht kritik ndaj Rezervës Federale dhe kryetarit të saj, Jerome Powell, veçanërisht për politikën e normave të interesit. Gjatë kohës së tij në detyrë dhe edhe pas largimit, ai ka dhënë sinjale të përsëritura për ndryshime në drejtimin e bankës qendrore amerikane.