TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një autobus turistik me mbi 50 pasagjerë që po kthehej nga Ujëvarat e Niagarës drejt Nju Jorkut u përmbys të premten në autostradën I-90 pranë Pembroke, rreth 40 kilometra në lindje të Bafalos. Autoritetet njoftuan se nga aksidenti ka disa të vdekur dhe të plagosur.
Sipas policisë së shtetit, autobusi humbi kontrollin pak para daljes së Pembroke, kaloi në mes të rrugës, u përpoq të rikthehej në korsi, por përfundoi në kanal, duke u rrokullisur. Nga përplasja, shumë pasagjerë u hodhën jashtë, pasi dritaret shpërthyen.
“Tani për tani kemi disa viktima, disa persona të bllokuar dhe shumë të plagosur”, deklaroi zëdhënësi i policisë, James O’Callahan. Ai tha se shumica e udhëtarëve ishin nga India, Kina dhe Filipinet, ndaj në vendngjarje u dërguan edhe përkthyes. Shoferi ka mbijetuar.
Në operacionin e shpëtimit morën pjesë disa ambulanca dhe helikopterë mjekësorë. Shërbimi ajror “Mercy Flight” dërgoi tre helikopterë për të transportuar të plagosurit në spitalet e zonës, ndërsa spitali “Erie County Medical Center” në Bafalo konfirmoi se deri në orën 14:10 kishte pranuar të paktën tetë pacientë.
Presidentja e “Mercy Flight”, Margaret Ferrentino, e përshkroi ngjarjen si një skenë shumë aktive dhe shtoi: “Në këtë moment po lutemi për viktimat”.
Një segment i gjatë i autostradës u mbyll në të dy drejtimet, ndërsa drejtuesit u paralajmëruan të shmangin zonën. Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, tha se ishte informuar për “aksidentin tragjik” dhe se zyra e saj po bashkëpunonte me policinë dhe autoritetet lokale.
Një dëshmitar, Powell Stephens nga Medina, tha për The Buffalo News: “Kishte qelq gjithandej në rrugë dhe sendet e njerëzve ishin të shpërndara kudo. Dritaret ishin të gjitha të thyera.”